Një në çdo 10 fëmijë të kontrolluar në klinikat në Gaza të drejtuara nga agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë, UNRWA, është i kequshqyer, ndërsa uria tek fëmijët rritet në të gjithë territorin për shkak të bllokadës së vazhdueshme izraelite ndaj ndihmës humanitare .
Kjo deklaratë vjen ndërsa raportimet vijojnë për mungesë ushqimesh, uji dhe medikamentesh.
“Pengimi ndëshkues i Izraelit për të ndaluar hyrjen e ndihmave në Gaza ka çuar në mungesa të rënda të furnizimeve me ushqim”, tha të martën shefi i UNRWA-së, Philippe Lazzarini.
Lazzarini tha se OKB-së duhet t’i lejohet të bëjë punën e saj në Gaza, veçanërisht duke sjellë “ndihmë humanitare në shkallë të gjerë, përfshirë edhe për fëmijët”.
Drejtoresha e komunikimit të UNRWA-së, Juliette Touma, u tha gazetarëve në Gjenevë nëpërmjet një videolidhjeje nga Amani i Jordanisë se “ilaçet, furnizimet me ushqim, materialet higjienike dhe karburanti po mbarojnë me shpejtësi”.
“Ndërsa kequshqyerja midis fëmijëve përhapet në të gjithë enklavën e shkatërruar nga lufta, UNRWA ka mbi 6,000 kamionë me ushqime, furnizime higjienike, ilaçe dhe furnizime mjekësore jashtë Gazës. Të gjitha presin të hyjnë”, shtoi Touma.





