Katër ditë pas masakrës së pashembullt në Elbasan, ku mbetën të vrarë tre persona dhe u plagosën 7 të tjerë, policia dhe prokuroria nuk kanë një pistë zyrtare të shkaqeve si dhe të dyshuar si autorë të këtij krimi të rëndë.
Mbledhja e gëzhojave në vendngjarje si dhe gjetja e tre armëve automatike pranë vendit të ngjarjes, sërish e kanë lënë në terr zbardhjen e këtij krimi.
Sakaq, disa nga të plagosurit të cilët e kanë kaluar rrezikun për jetën, kanë dhënë dëshmitë e tyre para grupit hetimor, duke treguar thjesht dinamikën e ngjarjes, por asnjë të dhënë për identifikimin e autorëve.
Sipas këtyre dëshmive, një nga autorët, të cilët dëshmitarët okularë e kanë parë të pambuluar me maskë, ka hyrë brenda lokalit për të përfunduar masakrën, por dyshohet se mund t’i jetë bllokuar arma.
Sipas asaj që raporton "Top Channel", njëri prej të plagosurve ka pohuar se në atë moment, ata ishin shtirur si të vdekur për t’i shpëtuar ekzekutimit.
Me këto të dhëna, grupi i hetimit bën me dije se e ka të qartë shënjestrën e këtij sulmi në kufijtë e një akti terrorist, që ishte një nga personat e familjes Çapja. Gjithashtu policia është e bindur se krimi ishte një hakmarrje brutale ndaj tij dhe familjes së tij, por historitë e shumta kriminale të kësaj familjeje, e bëjnë të vështirë të identifikohet se kush ishte personi apo grupi i personave që mund të këtë kryer apo porositur krimin.