Dorian Shkoza, është një nga personat që u ekzekutua këtë mbrëmje në lagjen Nr.14 në Shkozet, në Durrës, ku viktimë e atentatit mbeti edhe shtetasi Anxhelo Avdiaj, 24 vjeç. Ai ishte baba i dy fëmijëve dhe ishte pronar i një servisi makinash dhe është qëlluar pikërisht në derën e servisit.
Shkoza mësohet se ka qenë i dënuar me 8 vite burgim për trafik të lëndëve narkotike. Ndërsa viktima tjetër Anxhelo Avdiaj, 24 vjeç, kishte pak kohë që ishte kthyer nga Anglia.
Dorian Shkoza është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare. Shkoza ishte një nga subjektet e Operacionit Forca e Ligjit, që do t’i dërgohej edhe formulari për deklarimin e origjinës së pasurisë.
I dënuar me 8 vite burg, Shkoza do të duhej të përballej me OFL, por për fat të keq, jeta e 35-vjeçarit u ndërpre këtë mbrëmje nga breshëria e plumbave që i morën jetën.
Ndërkohë një makinë e tipit “Mercedez Benz” është gjetur e djegur në zonën e njohur si Bishti i Zhurit në Rrogozhinë. Mjeti tip “Benz” ka targën AA 639 ZE dhe rezulton se i është vjedhur shtetasit me iniciale R.L.





