Piku i sezonit turistik shoqërohet me shtimin e automjeteve që qarkullojnë në akset kryesore të vendit tonë e për pasojë dhe të aksidenteve rrugore me pasojë vdekjen. Aksidentet e shumta që përgjakin rrugët dhe segmentet nacionale shoqërohen jo rradhë herë me një kosto në jetë njerëzore që shfaqet si domosdoshmëri e tmerrshme që na godet si ndëshkim për dhunimin që i bëhet ligjit. Aksidentet rrugore janë kthyer në një makth për të gjithë qytetarët. Shifrat alarmante publikohen çdo ditë dhe ato flasin për bilancin e frikshëm të të vdekurve e të plagosurve nga këto ngjarje tragjike. Por deri tani, duket se ende nuk është gjetur një strategji për t’i parandaluar këto shifra që rriten nga dita në ditë. Mjafton të kujtojmë se gjatë diktaturës u vranë në 40 vjet më shumë se 5000 persona, ndërsa në 21 vitet e tranzicionit vetëm në rrugë kanë humbur jetën rreth 7000 vetë. Në rrugët e Durrësit sheh shoferë që ndalojmë makinën në mes të rrugës, për të bërë një dorë muhabet me miqtë, sepse i ka marrë shumë malli për ta, ndërsa radha e makinave prapa bëhet e pamasë. Në rrugët tona ndodh, që sapo parakalon dikë me shpejtësi normale, ky të riparakalon me shpejtësi anormale, për të ndaluar vetëm pak sekonda pas parakalimit gjithë tym në një kthesë aty pranë dhe në fund të gjithë kësaj zallamahie as ti vetë nuk e kupton pse-në e këtij parakalimi. 

Makinat të ngjeshen prapa edhe kur je me 1 km në orë dhe kur je me 100 në orë, kur në fakt duhet të rrinë larg teje 1 metër për çdo kilometër shpejtësi. Nëse të takon të kthehesh apo të bësh ndonjë manovër, mundësia nuk ekziston se ndërkohë je ngushtuar kaq shumë dhe të tjerët pas teje janë ngushtuar edhe më shumë. Si shpjegohet që kur një mori makinash janë në radhë, një mori tjetër makinash i bie anash teje me shpejtësi marramendëse, dhe mbi të gjitha si shpjegohet që këta ikin në punë të vet duke kaluar nga krahu i kundërt, ndërsa ti pret edhe më shumë në rradhë. Të ndodh që në çdo orë të ditës dhe të natës mijëra njerëz u bien njëkohësisht mijëra borive. Nuk mund ta imagjinoj se si merren vesh me njëri-tjetrin këta shoferë me anë të borive. Nuk e kuptoj zgjidhjen e problemit rrugor me anë të borive. Ka raste kur sheh fëmijë të ulur në sedilen e parë dhe të palidhur me rrip. Nëse nuk e duam jetën tonë, të paktën të mendojmë për jetën e fëmijëve. Muajt e verës janë dhe muajt e dasmave. Të rastis të shohësh rrugëve karvanin e makinave të dasmorëve, me trupa të dalë jashtë dritareve. Shoferët e makinave i sheh duke komunikuar me celular, duke shkruar mesazhe edhe pse kjo gjë është e ndaluar. Shpejtësia e ofruar orëve të vona të natës është mbresëlënëse. Askush nuk respekton semaforët, të cilët në të shumtën e rasteve ndodh që të jenë jashtë funksionit. “Ec pra, jepi gaz”.

Një fakt i pamohueshëm janë dhe qytetarët këmbësorë. Ata ecin vend e pa vend, ndodh që makina frenon dhe shoferi me mirësjellje e fton që të kalojë rrugën edhe pse është në kundërshtim me rregullat e qarkullimit. Këmbësori të falënderon kur i hap rrugën. Një pamje e tillë të kujton gjestin kalorësiak prej kohës së mesjetës. Me keqardhje shprehem se: në vendin tonë një njeri kushton më pak se një tabelë.

Indrit Nina: Mbas 20 vitesh, së bashku me të ndryshuarit e sistemit shumë njerëz patën mundësi të posedonin një makinë dhe mbi të gjitha ajo t’u bëhej edhe mjet i domosdoshëm jetese. A ka ndryshuar mentaliteti edhe në drejtimin teknik të mjeteve të transportit, duke parë se ndodhin përditë aksidente të natyrave të ndryshme? Shprehim mentalitetin, sepse më kujtohet që dikur një emigrant me thoshte: shiko, unë e ngas makinën në X shtet, s'po e ngas në Shqipëri. Dinamikat janë të ndryshme njerëzit janë njësoj.

Eduart Semema:Ato që respektojnë rregullat e qarkullimit janë femrat, po flas per moshat e reja. Kurse meshkujt janë ato që bëjnë më tepër aksidente. Duan të tregojnë që i japin shpejt makinës dhe përfundojnë në kanal. Rregullat janë njësoj në të gjithë botën varet si i zbatojnë.

Indrit Nina:E drejtë! Në fakt edhe këtu ka probleme të kësaj natyre. Ka emigrantë, të cilët kanë ardhur nga vende të ndryshme dhe nuk kanë parë makinë me sy në jetën e tyre. Dalin në rrugë dhe si rrjedhojë pasojat mund të merren me mend. Ndoshta nuk mund ta imagjinoni, por taksixhinjtë e New Yorkut janë nga vendet e ashtuquajtura të botës së tretë dhe kur i japin taksisë të ruajtë zoti. Thjesht, mos e merr. Unë e bëra atë gabim një herë, ju garantoj që nuk e bëj më.

Fatmir Lazo:Të ngasësh një automjet, kudo që të ndodhesh, është një lloj edukate, e cila bazohet në respektimin e rregullave të qarkullimit, në respektin kundrejt njerëzve, këmbësorëve. Kjo bëhet e mundur kur të gjithë i respektojnë këto rregulla. Në qoftë se kushtet në Shqipëri, pra rregullat e qarkullimit janë të përcaktuara qartë atëherë kushdo duhet të sillet njëlloj si në vendin nga ku vjen. Por mesa kam dëgjuar, të gjithë ata njerëz që kthehen nga Shqipëria thonë se atje është e pamundur të respektohen rregullat. Pra shumica nuk preferon të kthehen në Shqipëri me makinë. Sa është e vërtetë është kjo gjë, këtë nuk e di.

Eduart Semema:Problemi qëndron tek fakti se sa herë unë shkoj në Durrës njerëzit që dikur dilnin në këmbë, tashmë vetëm për të bërë 10 metra u hipin makinave. Janë bërë djemtë e rinj nga 100 kile, sepse nuk lëvizin më në këmbë. E përdorin makinën si biçikletë. Kanë ndryshuar kohët, janë motorrizuar njerëzit. Nuk ka gjë më të bukur se të bësh një xhiro me biçikletë, ose në këmbë. Ata që i bëjnë këto të dyja jetojnë më shumë. Na rroftë makina.

Lira Milaqi: Problemi është se mungojnë rrugët për të qarkulluar lirshëm me makinë. Për ne që kthehemi në Durrës është një gjë e mirë, sepse ecim gjë që na mungon këtu ku jetojmë.

Fatmir Lazo:Imagjinoj që në kohë vere numri i makinave duhet të shumëfishohet patjetër. Pra në qoftë se rrugët nuk janë të përshtatshme për këtë shumicë automjetesh Bashkia e qytetit duhet të marrë gjërat në dorë, duke bllokuar qendrën apo akset e vogla. Kështu që i jepet mundësia këmbësorëve të marrin frymë lirisht. Flas për rrezikun që mund të shkaktojë automjeti.

Vadik Çollaku:Indriti ka të drejtë. Kemi vuajtur nga makinat dhe nga njerëzit. Në fund të fundit jemi ne që jetojmë këtu për 20 vjet.

Indrit Nina: Makinat shtohen, njerëzit shtohen, rrugët janë ato që janë dhe normal që problemet shtohen. Parkimet janë ato që janë, askush nuk mund të pengojë zhvillimin dhe se edhe paketa magjike bën pak për fat të keq. Mbipopullimi i ka këto pasoja.

Fatmir Lazo:Këtë gjë as që e vë në dyshim Vadik, sepse të tjerët shkojnë dhe vijnë. Janë vendasit ata që vuajnë nga kjo mësymje automjetesh. Por pyetja është: a e shkaktojnë emigrantët këtë gjë, apo është fenomen i përditshëm që vjen nga mentaliteti vendas?

Juli Hidri:Personalisht e kam shumë të vështirë të ngas makinë në Durrës, ose më mirë është e pamundur, sepse nuk ekzistojnë rregulla. Është thjesht rregulli i xhunglës. Do të më pëlqente të lëvizja me biçikletë. Ti shkoja Durrësit cep më cep, të shkoja deri në plazh si shkonim dikur. Por a mundem vallë ta bëj? Të ecësh në këmbë nëpër rrugët e Durrësit është shumë e vështirë. Trotuaret të mbushura me karrige dhe tavolina, rroba për t’u shitur, ose arka specash e domatesh. Mbipopullim ka kudo, por ekziston 1 urbanistikë kudo përveç Shqipërisë.

Indrit Nina:Unë do të preferoja të ecja në këmbë nga shtëpia ime deri tek Vollga dhe kthim çdo ditë mbasditeve, ose dhe në plazh në breg të detit. Por këtu ku unë jetoj është shumë e vështirë.

Fatmir Lazo: Me pak fjalë Juli, mungon urbanistika. Nuk ka tabela, nuk ka semaforë, nuk ka kufizime shpejtësie, nuk ka stop. Kjo do të thotë që faji nuk i vihet njeriut, sepse kudo qofsh, dhe aty ku displina është e rreptë po hoqe rregullat bëhen të gjithë njëlloj. Ky është njeriu!

Juli Hidri:Unë mendoj se i gjithë faji është i korrupsionit pa kufi, i cili ka 20 vjet që ka pushtuar Shqipërinë. Mungon zbatimi i ligjit, i cili është bërë pronë e pushtetarëve, ndërkohë që duhet të jetë xhelati i tyre. E kanë katandisur Shqipërinë si mos më keq, secili mendon vetëm të vjedhë pa kufi.

Fatmir Lazo:Në këtë rast flitet për një problem lokal dhe këtu është Bashkia që duhet të merret me këtë punë. Pra një problem lokal mendoj unë nuk duhet kthyer në kombëtar, sepse nuk do ja dalim kurrë. Ti kërkohet llogaria atij të cilin populli i Durrësit e ka vënë në krye.

Entela Ramzoti:Unë e ngas makinën, por në Shqipëri nuk kam kurajo.

Mimoza Saliaj:Në Shqipëri duket se sa shofer i mirë je.

Enes Sheshi:Ndryshimi është se refugjatët kur janë jashtë shtetit në përgjithësi respektojnë rregullat atje, kur vijnë në Shqipëri jetojnë si shumica e shqiptarëve, pra pothuajse pa rregulla.

Arjana Shapka Xhaxho:Mua nuk më vjen turp të them që nuk di ta ngas makinën në Shqipëri, por nuk jam dakort që: sa shofer i mirë je duket në Shqipëri. Shofer i mirë është ai që respekton rregullat e qarkullimit e jo rregullat e rrëmujës.

Arbana Artur Daja:Sado që të duash të respektosh rregullat e qarkullimit në Shqipëri nuk mundesh t’i zbatosh 100 %, sepse përndryshe mbetesh në kryqëzim. Sado e ke përparësinë për të kaluar askush nuk të hap rrugë. Këmbësorët nuk duan të dinë për viza të bardha apo semaforë.

Anila Liti Mejdani:Edhe nëse do të duan këmbësorët nuk funksionojnë semaforët, nuk funksionojnë as policët. Po pagove nuk funksionon asnjë ligj dhe po u ankove zbret shoferi tjetër dhe të zhëep në dru për qejf.

Vadik Çollaku:Pasiguria dhe stresi për atë çka na ndodh çdo ditë këtu në Shqipërinë tonë të dashur, për të cilën kemi mbi 20 vjet që kontribuojmë, na ka bërë agresivë në çdo aspekt. I vetmi vend ku ndihemi të plotfuqishëm është sedilja e shoferit dhe gjithë inatet e botës i shkarkojmë aty. Kjo tregon se jemi pak egoistë në të shprehurit e indinjatës qytetare. Secili e shpreh sipas mënyrës së tij.