Një oaz gjelbërimi në zemër të Durrësit, i ideuar me mjaft dashuri nga vetë banorët.

Ndërsa kalon në rrugicën “Enver Zazani”, syrit nuk mund t’i shpëtojë fakti që në disa shtëpi dykatëshe janë improvizuar “kopshte” me lule e bimë dekorative në hyrjet e banesave.

Disa këshilla kanë edhe për individët që mund të kenë prirje për të dëmtuar lulet.

Ky shembull qytetar që është përqafuar vitet e fundit nga një pjesë e konsiderueshme e banorëve të kësaj zone, që i përket lagjes nr.4.

“Më duket një gjë shumë e bukur. Kjo tregon që këto familje janë me kulturë, e duan të bukurën, e duan pastërtinë. Respekt për këta banorë”.

“Ideja është shumë e bukur, sepse jeshilllëku duhet, por duhet të jetë i sistemuar. Po të jetë i sistemuar është edhe më i bukur. Zbukuron qytetin, zbukuron banesën, zbukuron çdo gjë”,– thonë qytetarë të rastësishëm për mikrofonin e “DurrësLajm”.

Në këtë rrugicë, betonizimi nuk ka bërë shumë dëme, pasi një pjesë e konsiderueshme e banesave të dikurshme janë ende në këmbë dhe janë rikonstruktuar vitet e fundit. Të tjera janë në proces. Por nuk mungojnë edhe shtëpitë e braktisura që me gjendjen e degraduar të tyre stonojnë me banesat rreth e qark.

Mungesa e hapësirave publike të gjelbëruara është mjaft e prekshme për qytetarët, sidomos për moshën e tretë që ka nostalgji për lulishtet e dikurshme.

“Më përpara ka pasur lulishte, kishe qejf. Tani nuk ke një trëndafil, një pemë, një stol”.

“Në Durrës ndihet shumë mungesa e gjelbërimit për arsye se gjithandej është bërë çimento”.

Durrësi është etiketuar prej vitesh qytet i betonizuar, por ideja e këtyre familjeve në lagjen nr.4 dëshmon se qytetarët preferojnë gjelbërimin kundrejt grisë së trishtë të betonit.

M.B.