Një hapësirë e re me bimë dhe lule sezonale dekorative iu shtua sot qytetit të Durrësit.

Në shkallaret që të ngjisin në xhaminë e qytetit, punonjësit e Agjencisë së Parqeve Urbane kanë vendosur rreth 400 vazo me bimë dhe lule duke improvizuar një oaz të gjelbërt në sheshin qendror të qytetit.

Mes morisë së nandinave, eleagnuseve, tujave, cikaseve, bredhave dhe luleve shumëngjyrëshe, shkallaret mund të kthehen në një kënd atraksioni për qytetarët dhe turistët, një pjesë e të cilëve mund të ndalen për të shkrepur një foto dhe për të marrë me vete një kujtim më shumë nga qyteti buzë Adriatikut.

Kur u vendosën një vit më parë në shkallaret e sheshit “Liria” vazot qëndruan 2-3 muaj dhe më pas u hoqën, pasi një pjesë ishin dëmtuar!

Në një qytet, ku betoni shkatërroi për shumë vite me radhë pjesën më të madhe të hapësirave të gjelbërta të Durrësit, nismat për krijimin e oazeve të tilla në shkallaret apo rrethrrotullimet e akseve kryesore meritojnë të përgëzohen.