Itali, 6 gusht 2014 – Pier Paolo Mariani është personi që qëndron aktualisht mes Migjen Bashës dhe kontratës trevjeçare te skuadra e Katanias. Futbollisti i përfaqësueses shqiptare është gati të hedhë firmën e tij në kontratën që e lidh me këtë klub. Por sicilianët kërkojnë garanci për riaftësimin e plotë të futbollistit të kombëtares shqiptare dhe për këtë arsye kanë kërkuar opinionin e atij që cilësohet si një prej specialistëve ortopedë më të njohur në Europë. Vetëm pasi Mariani të përcaktojë afatet e riaftësimit të futbollistit, atëherë do të mund të mbyllet marrëveshja për transferimin e tij.

Basha u operua në muajin maj për një problem kronik në kavilje dhe si pasojë e riaftësimit pas ndërhyrjes kirurgjikale, mesfushori humbi plotësisht fazën përgatitore me pjesën tjetër të skuadrës së Torinos. Rrjedhimisht, kjo solli edhe humbjen e një vendi si titullar te kjo skuadër dhe i hapi rrugë transferimit të tij. Lojtari është stërvitur individualisht gjatë kësaj periudhe, duke kërkuar të jetë në formë për ekipin e radhës. Por Katania, para se të investojë te mesfushori shqiptar, kërkon garanci se dëmtimi i tij, i kthyer në kronik gjatë dy sezoneve të fundit, tashmë është kaluar plotësisht dhe riaftësimi do të bëhet në kohët e duhura për të kontribuuar për këtë klub në fillimin e sezonit të Serisë B.

Katania dhe Torino kanë që tani një akord parimor mbi transferimin për 1.2 milionë euro të futbollistit shqiptar, ndërsa edhe lojtari ka gjetur akordin personal për një kontratë trevjeçare me një pagesë prej 200 mijë eurosh në sezon te sicilianët. Tashmë mbetet vetëm të zgjidhet problemi i tij me dëmtimet dhe për këtë çështje, Katania ka vendosur të marrë mendimin e ekspertit Pier Paolo Mariani. Ky është një nga ortopedët më të famshëm në Europë, pasi ka operuar dhe ndjekur riaftësimin e më shumë se 1000 futbollistëve (mes të cilëve emra si Toti, Nesta, Kualjarela apo Vuçiniç). Në listën e tij do të shtohet edhe emri i Migjen Bashës, i cili në ditët në vijim do të shkojë në qendrën spitalore “Villa Stuart” në Romë për të kontrolluar gjendjen e kaviljes së tij tek ortopedi italian.

Nëse Mariani do të konfirmojë se Basha është riaftësuar plotësisht pas operacionit dhe tani ka nevojë vetëm për të zhvilluar një fazë përgatitore të mirëfilltë, atëherë Katania do të realizojë menjëherë transferimin e mesfushorit shqiptar. Por, në rast se specialisti do të vlerësojë se Basha nuk është riaftësuar plotësisht dhe do të ketë nevojë për një kohë më të gjatë jashtë fushave të lojës, Katania do të rishikojë pozicionin e saj ndaj këtij transferimi. Këtu bëhet fjalë si për termat financiarë të marrëveshjes me Torinon, ashtu edhe për ato me Bashën, deri në anulimin e plotë të transferimit.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/