Së shpejti Durrësi do të ketë një parkim të ri publik me 400 vende. Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak, këshilltarët miratuan draft-marrëveshjen mes FSHZH-në dhe bashkisë për ndërtimin e parkimit multifunksional pranë Stacionit të Trenit.

Kryetarja e bashkisë Emiriana Sako, sqaroi këshilltarët se parkimi i ri publik do të jetë një investim i qeverisë shqiptare, që pritet të fillojë brenda këtij viti. Vlera e investimit nuk është përcaktuar ende, sepse projekti është duke u hartuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

“Bashkia Durrës do të përfitojë një parkim që do të investohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Shfrytëzimi do të bëhet 50% me 50%, ne jemi pronarë trualli, ndërsa investimi realizohet nga qeveria shqiptare. Do të ketë një plan biznesi të mirëfilltë për të vendosur tarifat për përdorimin e parkimit aty, ndarjen e fitimeve por edhe menaxhimin e këtij parkimi. Në marrëveshje shkruhet se menaxhimi do të ndahet në vite, vitet e para (rreth 4 vite) do ta përdorë FSHZH”,- tha ndër të tjera kryebashkiakja.

Nisur nga mungesa e parkimeve në qytet, realizimi i këtij projekti pritet të lehtësojë ndjeshëm këtë problematikë që drejtuesit e automjeteve e vuajnë çdo ditë.

Detajet për investimin në fjalë mund t`i mësoni në prononcimin e plotë të kryetares së bashkisë Durrës në videon e mëposhtme.