Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Korçës, ku një person ka tentuar që të vrasë me armë zjarri disa efektivë policie, por është arrestuar në kohë.

Fillimisht, njofton policia, është marrë një telefonatë ku është kërkuar ndihma e Policisë në lagjen nr. 4 në Korçë, pasi një shtetas në gjendje të dehur po konfliktohej me një shtetas tjetër, duke sjellë shqetësim te banorët.

Menjëherë janë dërguar shërbimet e Policisë drejt adresës së dhënë, ku nga verifikimet ka rezultuar se shtetasi G.Xh, 69 vjeç, në gjendje të dehur, ishte konfliktuar për motive të dobëta me shtetasin A.H, 47 vjeç, të dy banues në këtë lagje duke u bërë shqetësim për banorët.

Më pas shtetasi G.Xh. ishte larguar menjëherë për në banesë ku dyshohet se do merrte një armë zjarri. Në momentin që shërbimet e Komisariatit Korçë janë drejtuar për te banesa e tij, 69-vjeçari u ka drejtuar armën e zjarrit automatik, duke tentuar të qëllonte në drejtim të punonjësve të policisë, por fatmirësisht arma u bllokua duke mos realizuar qitjen.

Policia ka neutralizuar autorin duke bërë arrestimin e tij në flagrancë. 

Ndaj tij rëndojnë dy vepra penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit, mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve dhe i municionit”.

Ai po ashtu rezulton i dënuar më parë për veprat penale “Vjedhja” dhe “Dhuna në familje”.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një armë zjarri automatik dhe 88 copë fishekë luftarakë, të cilat i posedonte pa leje.