Prej disa ditësh, Marçelo tërheq vëmendjen në sheshin qendror të Durrësit me muzikën e tij.

Këngët e vjetra italiane interpretohen me mjaft dashuri nga ky 28-vjeçar nga vendi fqinjë. Prej 5 vitesh, ai udhëton nëpër Evropë duke kënaqur me artin e tij të rrugës mijëra dashamirës të muzikës.  

“Kam kënduar në Londër. Pas pandemisë, kam luajtur në Spanjë, Portugali, Francë. Ndërsa tani dua të këndoj përgjatë gjithë bregdetit, Shqipëri, Mal i Zi etj”,- thotë ai për “DurrësLajm”.

Moti i mirë i përcjell mjaft energji pozitive dhe për këtë arsye ai këndon.

“Sot ka diell. Duket kaq e thjeshtë si përgjigje, por dielli më frymëzon për të kënduar. Gjithashtu, këtu ka njerëz shumë të mirë”.

Jeta e muzikantit të rrugës nuk është aspak e lehtë, por për Marçelon kjo është ajo që ai dëshiron të bëjë.

“Mamaja ime do donte që të kisha një punë stabël. Por për mua kjo që bëj ka shumë rëndësi dhe më jep kënaqësi”.

Me kitarën dhe mikrofonin që përhap tingujt e muzikës kudo, ai është një personazh atipik, që ka ngjallur jo pak kureshtjen e kalimtarëve.

Për të nuk janë të rëndësishme fitimet, pasi vetëm të kënduarit për njerëzit i fal shumë dashuri.

“Mendoj se është një punë e ndershme. Nuk i shes asgjë, askujt. Nëse dikush do të më japë diçka i them faleminderit. Nëse jo, s’ka gjë”.

M.B.