9 korrik 2015 – Mbrëmjen e kaluar në kuadër të edicionit të 10-të të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës në muzeun arkeologjik të Durrësit u organizua koncerti i Duos pianistike të instrumentisteve Mirela Sykja Koka dhe Fatmira Keta.
Dy artistet kryeqytetase u paraqitën me një program të ngjeshur nga autorë të shquar të literaturës pianistike.
Koncerti nisi me Sonatën në Re Maxhor nga W. A. Moxart (1756 – 1791). Artdashësit vendas dhe të huaj që ndjekin rregullisht koncertet e këtij edicioni duartrokitën më pas dy vepra nga Franz Schubert (1797 – 1828). Dy pianistet që luajnë me katër duar në të njëjtën piano e mbyllën prezantimin e tyre me një cikël suitash të vogla nga Claude Debussy (1862 – 1918).
Ky është koncerti i katër i këtij edicioni të Festivalit, që organizohet nga Shoqata “Arti dhe kultura italo-shqiptare”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/