Qyteti i Durrësit vazhdon të mbetet me problematikë të theksuar sa i përket rrugëve, sidomos ato në zonat periferike.

Një numër i madh aksesh dhe lagjesh të qytetit bregdetar janë lënë në harresë totale nga institucionet vendore e njëkohësisht janë kthyer në një shqetësim madhor për qytetarët.

Këtë gjë e dëshmon më së miri rruga “Prishtina” në zonën e Rrashbullit, e cila është e “veçantë” në llojin e saj, pasi një pjesë e saj është e shtruar me asfalt dhe pjesa tjetër jo.

Kjo është e habitshme, pasi si mund të bëhet një investimi i tillë në këtë mënyrë nga bashkia e Durrësit, ku duket sikur favorizohen disa nga banorët, ndërsa të tjerët janë lënë në kushtet që ishin dhe po përkeqësohen dita-ditës.

Situata rëndohet akoma më shumë kur ka reshje shiu, duke e bërë rrugën thuajse të pakalueshme nga balta dhe pellgjet me ujë, ndërsa në stinën e verës aty të “mbyt” pluhri.

Siç duket edhe në videon e siguruar nga “DurrësLajm”, ngjitur me rrugën ndodhet edhe një kanal, ku bashkohen ujërat e bardha dhe ato të zeza, në të cilin grumbullohen shumë mbetje urbane duke përbërë rrezik për përhapjen e infeksioneve.

Edhe pse është shumë pranë autostradës Durrës-Tiranë dhe mbanë emrin e kryeqytetit të Kosovës, ky aks rrugor duket sikur ndodhet në një nga zonat më të thella të qytetit.