Astronomët kanë zbuluar një ekzoplanet shkëmbor, i cili po shpërbëhet ndërsa rrotullohet në një distancë shumë të afërt me yllin e tij. Temperatura ekstreme në sipërfaqe, që arrin deri në 1600°C, po e shkrin atë duke formuar një bisht pluhuri mineral rreth 9 kilometra të gjatë.

Planeti, i quajtur BD+05 4868 Ab, ndodhet rreth 140 vite dritë larg Tokës, në yjësinë Pegasus. Ai ka përmasa ndërmjet Hënës dhe Mërkurit dhe rrotullohet rreth yllit të tij çdo 30.5 orë, duke qëndruar shumë më afër tij sesa Mërkuri nga Dielli. Si pasojë, ai po humbet masë me çdo rrotullim, në një sasi të krahasueshme me vëllimin e malit Everest.

Sipas studiuesve të Institutit Kavli për Astrofizikë në MIT, procesi i shpërbërjes është i shpejtë dhe pritet që planeti të zhduket përfundimisht brenda miliona viteve. Sipas autorit kryesor të studimit, Mark Hohn, kjo është një mundësi e rrallë për të studiuar nga afër përbërjen e brendshme të një planeti jashtë sistemit tonë diellor.

Ekzoplaneti u zbulua përmes teleskopit hapësinor TESS të NASA-s, ndërsa për vëzhgime të mëtejshme do të përdoret teleskopi James Webb, me synimin për të zbuluar përbërjen kimike të pluhurit dhe për të mësuar më shumë rreth strukturës së brendshme të planetëve shkëmborë.

Edhe pse BD+05 4868 Ab nuk ndodhet në të ashtuquajturën “zonë të banueshme”, ku uji i lëngshëm mund të ekzistojë, ai mbetet një objekt studimi tejet i rëndësishëm për të kuptuar më mirë evolucionin e planetëve dhe mundësinë e jetës në sisteme të tjera diellore.