Është funksional që në ditët e para të këtij muaji, por anomalitë që ka sjellë në qarkullimin e automjeteve përgjatë rrugës “Mars 91” nuk janë të vogla.
Trafiku i rënduar është një prej tyre.


Po flasim për parkimin e ri publik me 7 nivele dhe 396 vende parkimi, të ndërtuar pranë stacionit të trenit në Durrës. Për urbanistin Artan Kacani, vepra infrastrukturore e financuar dhe realizuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit është një projekt shumë amatorial.
“Që në momentet e para kemi pasur incidente dhe fatkeqësi të ndryshme në hyrjet dhe daljet e këtij parkimi. Gjithmonë e më shumë që do të fillojë të përdoret parkimi, gjithnjë e më shumë lëvizja do të fillojë të bëhet edhe më kaotike edhe më problematike për vetë qytetin dhe këmbësorët, që kalojnë këtu. Unë do ta quaja një projekt shumë amatorial në aspektin e dizajnit urban, por njëkohësisht jashtë çdo lloj standarti për këdo që bën edhe kursin e patentës.“


Me hyrjen dhe daljen e automjeteve nga parkimi në kënd pungul me rrugën e re të portit, siç “DurrësLajm” e pati paralajmëruar kohë më parë, qarkullimi i makinave vështirësohet së tepërmi, ndërsa radhët në trafik zgjaten dhe durimi i qytetarëve humbet. Për urbanistin Kacani, zgjidhja duhet të kishte qenë një tjetër.
“Njëkohësisht edhe dalja duhet të kishte qenë paralele me hyrjen kryesore, në mënyrë që jo vetëm të mundësonte një trafik shumë më të lehtësuar të makinave, por edhe të mundësonte për këdo që është turist apo vizitor në qytetin e Durrësit të aksesojë stacionin e ardhshëm të trenit, por njëkohësisht edhe stacionin interurban dhe terminalin e portit. Parkimi këtu jo vetëm që ka bërë një lidhje të gabuar me rrugën, por mbi të gjitha nuk është planifikuar dhe koordinuar së bashku me infrastrukturat më kryesore të transportit”.
Në ditët e para të funksionimit të tij, pranë parkimit publik u regjistrua një aksident fatal. Por ky nuk parashikohet të jetë i vetmi incident rrugor, sidomos për këmbësorët, por edhe automjetet.

“DurrësLajm” mëson se parkimi publik do të jetë pa pagesë deri në fund të muajit janar, ndërsa më pas do të nisin të aplikohen tarifa për orët e qëndrimit. Parkimi do të menaxhohet nga FSHZH, që pritet të vendosë edhe tarifat respektive.
Megjithëse jashtë kamerës, qytetarë të ndryshëm na thanë se kanë paguar për parkimin e mjetit brenda tij, nga monitorimi që ne bëmë ditën e sotme në parkim dhe interesimi pranë sportelistit tek trau i biletarisë na u komunikua se parkimi i makinave është pa pagesë deri më 31 janar.
M.B.





