Dëshira për të pirë një kafe me miqtë apo për të ngrënë një vakt në restorant të shoqëruar me një gotë vere apo birre është shumë e madhe këto kohë. Por për pronarët e bareve dhe restoranteve në Itali, nuk do të jetë e mjaftueshme mbushja e ambienteve me klientë. Sipas tyre, do të duhet kohë, kur masat shtrënguese të lirohen, për të mbushur sërish me njerëz baret, pub-et apo restorantet. Por mbi të gjitha do të duhet hapësirë.

Pikërisht për këtë të fundit ka menduar kryebashkiaku i Bolonjës, Virginio Merola, që ka deklaruar se po mendon t’u akordojë lokaleve të shërbimit hapësira më të mëdha në ambiente të hapura dhe falas, shkruan Corriere della sera.

Grupet e interesit e kanë mirëpritur iniciativën e Merola-s, sepse ishte një sugjerim i bërë prej tyre javë më parë.

Duke marrë parasysh se Italia është një nga vendet evropiane të goditura më rëndë nga koronavirusi, drejtuesit e shoqatave që mbrojnë interesat e sektorit të shërbimit në vendin fqinjë po propozojnë idenë e “një qytet-kafe në qiell të hapur”.

Sipas tyre, duhet përdorur qyteti, të paktën për këtë verë, duke vënë në dispozicion të lokaleve sheshe dhe rrugë të kthyera në pedonale për t’i ardhur në ndihmë lokaleve e restoranteve, të goditura rëndë nga masat kufizuese për parandalimin e përhapjes së Covid-19.