NGA BUJAR QESJA
Ndryshimi i sistemeve i ktheu krenarinë e sfumuar, të gërvishtur në prapamebtjen e një gjykimi pervers. Idhulli i tifozërisë durrsake, frymëzuesi dhe vullkani i saj, ishte vendosur brenda lëvozhgës së një lufte klasore, kundër logjikës dhe fuqisë së realitetit. Ky profil i Niko Profkolës, është më i veçanti, që hedh dritë të plotë mbi forcën e një talenti të rrallë, por gjithkaq edhe të një lufte të paprinciptë, të pakuptimitë ndaj atij që frymëzoi dhe frymëzon pas kësaj, motivimin sportiv dhe qytetar të rinisë.
Niko Profkola, portreti i të cilit për çdo vit i shtohet nga një yll i artë që e bën të mos harrohet, të mbetet emblemë, të mbetet pasuri e atij qyteti, që i dha sporteve dhe kulturës aq sa historia i është rezervuar tashmë. Pas 90-ta, i ofroi ato që i ishin mohuar, kundrejt vlerave dhe afësive të pakundërshtueshme. Varg titujsh dhe meritash i vrapuan pas. Nga “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, më tej “Nderi i Sportit Shqiptar”, vazhdon me “Mjeshtër i Madh”, për t’u mbyllur me “Qytetar Nderi i Durrësit”. Deri këtuj kaq. E më tej mund të ketë risi të tjera.
Profkola i Madh! Profkola i thjeshtë! Profkola, që e lodhi topin deri në mundim! Profkola me trup të hijshëm e fytyrë simpatike, ishte baraz me të “bukurin e dheut”. Profkola rrënjë e ngacmimit dhe shpërthimit të tifozërisë deri në delirin e kënaqësisë , ku topi në duart e tij dukej si një diell i vogël, që ngrohte që ngrohte dhe i jepte zjarr shikuesit. Për këtë Profkolë, të lindur në Durrrës me 1 qershor 1948. Për këtë Profkolë, që po sfidon shqetësime delikate jetësore, si diabetin rrebel dhe ngacmime të frikshme në stomak, ofrojmë nga profilet më të pazakonta, të atij njeriu që Durrësi e ka në inventarin historik të përjetësisë.
I lindur për të qenë i veçantë
Për të, të thonë sikur ka lindur me top në dorë. Jashtëzakonisht i talentuar, ekspresiv, vrapon me shpejtësinë e erës dhe i veçantë nga shokët. Jo vetëm atëhere, por edhe tani Nikolla Profkola nuk dëshiron t’ia veçosh cilësitë dhe aq më pak ta dallosh nga të tjerët. Por emri i tij, ka ardhur deri në ditët e tanishme me pozicion emblematik.
Fytyra i ruan ëmbëlsinë e fëmijërisë dhe ndjeshmërinë e një burri tejet të fortë në karakter, me të cilin kurrë dhe më kërkënd nuk bëri kompromis. I hekurt në vullnet. I pazakontë në talent, ky Niko Profkola edhe tani, mbështillet me dashurinë e një populli të tërë, i cili e duartrokiste dhe e mbante mbi shpatulla, kur ua rrëmbente zemrat.
M’u kujtua një shprehje e goditur, e kolosit të topkoshit durrsak Dhimitraq Gogës, kur thonte se: “djemtë e mi punojnë, deri sa e lodhin topin”. Dhe më i veçanti në këtë gjykim, është i jashtëzakonshmi Nikolla Profkola.
Më intuitën e gazetarit investigues, kapëm kuptimin e rrokjes së parë të mbiemrit të Nikos, pikërisht fjalën “Prof”, që në greqisht do të thotë “i pari”. Dhe ky njeri i lindur për të shkëlqyer kudo që vinte këmbën, mbeti i pari ndër të parët.
Në lagje filloi t’i ndihej zëri shumë shpejt. Fama u krijua, që kur vendosi kapelen e portjerit mbi krye dhe me topin 45 lekësh nën sqetull prodhim i NISH Gomës, drejtonte ekipin e tij prej gjashtë “trimash” të vegjël për të fituar ndaj rivalëve. Arena e karakterit të fituesit, ishte terreni i shkollës prego, fare pranë shtëpisë së tij, e që banesës së ngritur mbi këtë truall durrsakët i thonë “shtëpia e kuqe”. Shkak ngjyra e kuqe, që është lyer fasada e saj. Gudar Beqiraj, ish Kryetari i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, Janaq Jorgo, Ilia Dollani, Raqi Shuke e të tjerë, ku kujtesa nuk e konkuron kohën që kemi në dispozicion, ishin “bashkëluftëtarët” e Profkolës, në luftën sportive ndaj “skalioneve”të ekipeve të lagjeve të tjera të qytetit. Kudo ai që dallohej, ai që mbeste krenaria e të gjithë rrugicës, duke mishëruar bukurinë, karakterin e garës, pse jo edhe spektaklin ishte i njëjti, i pakonkurueshmi me emrin Nikolla Profkola.
Bashkim Taga dhe virtuozi
Asnjëherë nuk jam përfshirë nga mënyra e të shkruajturit, për t’i renditur gjërat në mënyrë të thatë, ku funksionon mediokrititeti i rëndomtë i formulimeve të tilla që “ishte këtu dhe shkoi atje”. Vëmëndja e lexuesit mban peshën e interesimit, kur ia përzien faktin me lëngun jetësor, të personazhit që shkruan. E duke dalë nga korniza dhe shablloni klasik i të shkruajturit, nxitoj të them që në fëmijërinë e parë të Niko Profkolës doli një dorë e ngrohtë, një mëndje e punuar mirë për ta përfshirë në interesimin e tij.
Dhe ky shans që mund të konsiderohet për “Mjeshtrin e Madh” dhe “ Qytetar Nderi i Durrësit” ishte i paharruari, babai i basketbollit durrsak Bashkim Taga.
Niko tregon:
-Kam qenë me fat, që shtëpinë e kisha pranë parkut sportiv dhe për dy hapa kaloja derën prej llamarine dhe veç kur ndodhesha poshtë koshit. Stërvitej ekipi i parë. Ja më duket sikur edhe tani i kam para syve, portretet e gdhendura në memorien time të Spiro Urumit, Niko Hercekut, Vehap Berberollit, Omir Vokopolës, Xhoxh Nushit, Margarit Çumashit, Salvator Sotirit, Fehmi e Fatos Hykës, Frederik Hebës, Gjon Lulit, Xhod Bejës, Koç Papait etj. Por nuk kam pse ta fsheh edhe Kristaq Ramën. Ai punonte në repartin e pikturës sapo ishte kthyer nga Bashkimi Sovjetik, që dallonte për dy gjunjëzat që mbante në këmbë. Ky iku shpejt. Bëhet fjalë për vitin 1954 -1955 kur unë isha 6-7 vjeç. Rrija poshtë koshit dhe vrapoja pas topit, teksa merrja me nxitim sferën e jua jepja lojtarëve. Këto veprime më kënaqnin dhe dëshira për sportin e koshit më rritej dita ditës. Bashkim Taga, profesori im i shtrenjtë, i saktë dhe i pagabueshëm në gjykime më pa me vëmëndje, me “bleu” talentin.
Dhe i thotë Dhimtraq Gogës së të rinjve: “merre këtë djalosh, është tejet i shkathët dhe i talentuar. Të bën shumë punë”.
Mbaj mënd që Goga ia ktheu: “më duket i shkurtër”, duke hezituar.
Qendrova “poshtë” tabelës 1 vit e gjysmë. Nuk më harrohet një ditë, profesor Goga i tha Bashkim Tagës: Mor po çfarë është ky djalë i shkathët dhe virtuoz! Ky fluturoka me topin!
Dhe Bashkim Taga ia ktheu: “Është ai djali që të pata thënë njëherë”.
Dhe kështu fare i vogël, shkova me ekipin e të rinjve.”
Dhe me Bashkim Tagën, Niko Profkolën e lidhi një miqësi e pandashme në raport prindi me djalin dhe veçanërisht kjo pas vdekjes së babait.
Ora e babait, kujtimi më drithërues
Shkëputemi pak nga raporti i përmallshëm me Bashkim Tagën, për të dalë tek një dukuri drithëruese, gati, gati e papërballueshme kur e kujton, kur e prek si me dorë. Kristaq Profkola është emri i babait të Nikos. Një burrë që mori shkollimin italian për zanatin e ekonomistit. Pas ngjarjeve që e kanë vendin në një pikë tjetër të shkrimit, Kristaq Profkola me ndihmën e mikut të vjetër Enver Plepit, vjen të punojë në porto në këtë detyrë.
Një ditë marsi, që rezultoi tragjike, Kristaq Profkola vjen t’u ndajë punëtorëve rrogën e kuindiçinës së rradhës. Ishte viti 1963. Tek porti i ri, një barangë e bërë nuk e di se kur, shërbente për të realizuar këtë detyrë. Një lokomotivë po dërgonte mineral në porto dhe kalon lart në “malin” e krijuar.
Aksidenti i rëndë ndodhi. Lokomotiva si një gjigand hekurash rënë nga qielli, vjen e rrokulliset duke vënë përfund pikërisht barangën, ku po punonte i jati i Nikos. Dhe tragjikja ndodhi sa hap e mbyll sytë.
Lajmin ma jep Margarit Çumashi, kujton Profkola ynë. Shkova tek vendi ku kishte
ndodhur fatkeqësia. Pashë orën e babait të shtypur dhe e rrëmbeva me shpejtësi. E vendosa në gjoks. Ora filloi të punoj me rrahjet e zemrës time. Ajo nuk ishte orë dosido. Jo thjesht për markën e njohur “Rahomer”. Por ajo ishte pasuria më e madhe e imja, më e shtrenjta, që edhe tani më ngjall mall, më ngacmon shpirtin, duke më kujtuar se në moshën 15 vjeçare, do të jetoja me nënën dhe vëllain e vetëm Kostandinin.
Por Niko më tregon sekretin, që e argumenton me fenë e tyre ortodokse.
-Po të vrojtosh regjistrat e kishës, gjen aty vazhdimësinë e brezave në emrat e tyre. Emri është i gjyshit tim Nikolla. Emri i babait Kristaqi, është trashëguar tek im bir. Madje edhe emri i nënës Amalia, është vendosur tek vajza. Prandaj dy dritat e syrit që kam Amalien dhe Kristaqin, krahas dashurisë prindërore që manifestoj ndaj tyre, më mbajnë të gjallë edhe kujtimin e nënës dhe babait. Kjo është jeta. Një brez largohet, e një tjetër mban dhe zhvillon traditën.
Më tej Profkola plotëson edhe një merak tjetër.
-Meqenëse nënvizova diçka nga babai, mund të shprehem pak edhe për nënën time të paharruar Amalian. E dini se nëna ime, ka mbaruar shkollën amerikane të Golemit? Po këtë faktin tjetër që, ka dhënë ndihmesë në angazhimin patriotik, krahas të njohurve të saj heronjve të Pezës Kajo Karafili dhe Mine Peza? Mund të them që ka qenë partizane në brigadën e 22, ku ishte Salih Verdha komandant. Mbase për herë të parë në këtë rrëfim po e tregoj. Origjina e saj e largët është nga Kavaja. Pas vdekjes së babait, u mbyll në vetvete dhe u kujdes për mirërritjen tonë. Jeta e saj u ndal në vitin 2000. Dua të nënvizoj edhe faktin tjetër: I jam mirnjohëse për jetë gruas time të nderuar Irmës, për shërbimet dhe përkushtimit shumë vjeçar, që i bëri nënës në kohën e lëngimit.
Xhaxhain që se njohu kurrë, i “dogji” jetën
Niko Profkola ishte talent i madh jo vetëm i basketbollit durrsak, por edhe i atij kombëtar. Forca e këtij talenti, e bëri të mbijetojë në sfondin e fatit të keq të biografisë së “prishur”.
Edhe Profkolën tonë si një magnet i fuqishëm, e kapi rrjeta e merimangës të sigurimit famëkeq të shtetit. Një baba për t’u pirë në kupë. Me intelekt dhe koncept perendimor për punën dhe jetën. Një nënë krenare, të urtë e ndjellamirë dhe me kulturë amerikane. Por gjithashtu edhe me merita në luftën për çlirimin kombëtar. Një i afërm i Nikos, që është xhaxhai i tij Stavri Profkola, ia dëmtoi jetën. Veç emrit kurrë nuk e njohu. Nuk ia pa qoftë edhe një minutë fytyrën.
Dukuria është sa qesharake, aq edhe e dhimbshme. Tragjikomizëm perfekt, që kur ia ndjen historinë edhe tani veçse të vjen të reagosh, a të thërrasësh me të madhe. Si të duash mund të veprosh. Për çfarë duhej t’i bëhej jeta ferr Nikos?
Ç’lidhje kishte ai në këtë mesele?!
Ky Stavri Profkola i lidhur me lëvizjen, fitoi të drejtën të studionte për mjekësi në vitin 1948 në Çekosllovaki. Ka qenë së bashku, me pediatren e njohur durrsake Kika Haxhihysenin. Mbaroi studimet katër vjeçare dhe në të kthyer, qendroi në Beograd. Kërkoj strehim në atë shtet dhe tani ka përfunduar në Australi.
Natyrisht Kristaq Profkola, i tërhoqi vëmëndjen me anë të një letre të vëllait, pasi siç do të zhvilloheshin ngjarjet në familjen e tij, regjimi komunist derdhi tërë urrejtjen. Kristaqi u nda me merak nga kjo botë. Dhe talenti i Nikolla Profkolës për shkak të këtij Stavri, herë zhvillohej si në pranverë, e herë e kërcënonin temperaturat e ftohta të “dimrit” biografik.
Dhe kur 15 -16 vjeçar grumbullohet në Korçë me ekipin kombëtar të atletikës, teksa bëheshin gati të iknin në europianin e Budapestit, mbush formularin ku me shumë sinqeritet shkruan edhe xhaxhain e tij të arratisur. Atleti famoz për kohën Lutfi Guri, sapo e pa, kthehet menjëherë në dhomën ku qendronte Profkola me atletë të tjerë dhe nga shpirti i tij i mirë dolën këto fjalë:
-Mirë ky djalosh ashtu e mendoi, po ju të tjerët më të rritur, pse e latë ta shkruante këtë! Ky djalë u “dogj”.
Regjimi i Enver Hoxhës, do t’i turrej Niko Profkolës me tërë egërsinë. Vërtet e dogjën në atletikë. Pas dy ditësh, e kërkon ta grumbulloj ekipi kombëtar i basketbollit, në lojrat e Ganefos më 64-trën. Eh! Edhe aty i njëjti qendrim. Ky Stavri Profkola, do t’i “gjëmonte” Nikos deri në vitin 2004, për ta ridërguar për herë të fundit në një shkollë fshati.
Biografia e Profkolës, ishte bërë tabelë qitje jo vetëm në kohën famëkeqe të Hoxhës, por edhe nga disa lloj sojsëzësh dhe faqezinjsh që e sulmonin talentin prapa shpine si hiena.
-E ke njohur, apo e ke takuar ndonjëherë këtë Stavri Profkolën?
-As e njoh, as e kam takuar ndonjëherë Bujar! Kulmi është se ai, ka ardhur në Durrës më duket se në vitin 1993, apo 1994. Nuk e di se kë ka takuar këtu, e sa ditë qendroi. Por mua jo. Kjo tregon se jo vetëm se kam njohur, por as si kam dhënë qoftë edhe njëherë dorën. Ta di sa kam hequr unë, vetëm nga ai veprim personal, që ndërmori Stavri Profkola në vitin 1952!
Dua të sjell në kujtesë një fakt tjetër, krahas dhjetërave të tillë. Do të shkonte “Lokomotiva” e basketbollit në Kosovë. Mos gaboj viti 1974. Nuk më dërguan. Insistoi Mustafa Çelkupa. Doli edhe garant. Por jo! Unë nuk mund të ikja.
Opinioni qytetar u mërzit shumë. Ata më kishin idhullin e tyre. Ishte Sekretar Partie që mbulonte propagandën Jorgji Sota. I thashë: “Ju më trajtoni si armik. Por në luftë si do të keni besim, të më mobilizoni për të luftuar armikun!? Ky është sport dhe fitorja apo humbja kanë një logjikë: humbje dhe fitore sportive.
Basti me 10 shishe birre
Të shkruash për Niko Profkolën, në pamje të parë duket detyrë e lehtë. Është një karierë e pasur sportive dhe mund të renditesh shumë suksese, shumë arritje. Mund të thuash, që Profkola shkëlqeu në spartakiadën e pionierëve të vitit 1959. Durrësi absolut në vendin e parë. Djem të tillë si Profkola, Kalebota, Kurtbegovi, Agaraj, Tati, Reka, Jaho, Peku etj. do të bëheshin “mbretër” të basketbollit shqiptar.
Por Niko doli kampion edhe në vrapimin 60 metrave. Luante edhe futboll. Në atë spartakiadë u dallua me Durrësin edhe fëmija, me emrin e njohur më pas në futbollin shqiptar Safet Berisha. Çfarë ishte ky talent kaq i rrallë dhe konkurues, në të gjitha llojet e sporteve? Niko kujton një dukuri shumë interesante, që i vendos kapakun aftësive të tij edhe si atlet nga më të mirët në Shqipëri.
-Duhet të ketë qenë viti 1963. Po bëja si zakonisht stërvitjen e ditës. Durrësi nuk kishte ende stadium. Ekipi i atletikës që stërvitej nga Idriz Çinari, përgatitej në parkun sportiv “Nako Spiru”. Mbaj mënd që në atë kohë ishin atletë Vasil Profiti, Luigj Aleksi, Ymer Shullani, Jorgji Mile etj. Profesor Dhimitraqi për të ngarë Idriz Çinarin i thotë:
“Unë kam një djalë, që ia kalon atletëve të tu. Po deshe e provojmë!Vendosim bast me 10 shishe birrë se cili e fiton. Eh si thua”?
“Çfarë je duke folur mor Dhimitraq,ia kthen Idrizi me atë sinqeritetin e tij të jashtëzakonshëm. Ke ti basketbollist, që të mund atletët e mi? E ke gabim! Këto janë atletë dhe ai djali jot basketbollist. E kupton, se çfarë po më thua”!?
“Mirë, mirë i thotë Dhimitraqi. E provojmë. Unë të jap bastin po fitove ti! Hajde Niko më thotë profesori. Dhe më tregon, se çfarë kishte biseduar me Idriz Çinarin.
Dakort i thashë unë. Jam gati! Kisha një palë këpucë të Nish Gomës. I hoqa ato dhe dola zbath, sepse po ti vishja më rrëshqiste këmba. Vendosëm të vraponim në një segment prej 60 metrash. U vendosëm në një vijë. Stërvitja ishte lënë dhe të gjithë në park po na ndiqnin. Sfidë të tillë s’kisha kaluar ndonjëherë. Në një gjë kisha besim: nuk do të vrapoja, por fluturoja. Këtë e dija fort mirë.
Dhe i lashë shumë prapa miqtë e mi, por që ishin njëkohësisht edhe atletët e Idriz Çinarit, pra të “Lokomotivës” së parë. Edhe tani e kujtoj, atë ndodhi shumë të veçantë. Dhe nga ajo ditë, krahas basketbollit u bëra edhe anëtar i ekipit të atletikës së Durrësit. 100 metrat i përshkoja me 10”.09 dhe meritoja vendin e tretë në konkurimet kombëtare. Tomi Stefanllari ishte i pari me 10”.07, Çlirim Balluku i dyti me 10”.08.
Kam provuar edhe kërcimin së gjati dhe u klasifikova në vendin e dytë me 6.92 m, pas kampionit Hysni Bebeziqi me 7.02 m. Kur u përurua stadiumi i Vlorës, kam qenë në ekipin e atletikës së Durrësit, së bashku me Pina Thanin, Ruf Kazazin, Daut Fallin, Hasan Korrën, Spiro Palin, Varvara Theoharin, Violeta Havalen etj. Për herë të parë kam vrapuar edhe në 400 metra. Por pas mbarimit të garës, nuk e ndjeva veten mirë.
Lutfi Guri garantoi specialistët e vrapimit, se Niko Profkola është kampioni i ardhshëm i atletikës. Dola i dyti pas rekordmenit Vinçenc Kacagjeli. Por kurrë nuk i provova rrugët jashtë shtetit, që sigurisht do të ishin nxitje edhe më e madhe e pasionit dhe talentit tim për basketbollin.
“Mua më thonin zëvëndësrektori”
Profkola sa vinte, bëhej më i famshëm. Tri vjet luajti me të rinjtë e “Lokomotivës”, pasi karriera e tij filloi shumë herët. 14-15 vjeçar mund të quhej “veteran” me të rinjtë. Bashkim Taga besoi shumë tek djali i tij, tek ai që provoi në fillim topin 45 lekësh dhe doli tek sfera e madhe e basketbollit.
Kur ekipi kombëtar i Kubës, erdhi në Durrës për një ndeshje miqësore me “Lokomotivën”, burri i mënçur i basketbollit Bashkim Taga, vendosi si organizator 16 vjeçarin Nikolla Profkola. E gjithë bota e basketbollit u trondit, jo vetëm me guximin e Tagës së paharruar, por edhe me klasin shumë të lartë që manifestoi Profkola, djali zotni i Durrësit tonë.
-Ata vinin, kujton Profkola, nga NBA-ja e famshme amerikane. Ishin gjigandë në lartësi dhe mjeshtëri. Mua më mbulonte një basketbollist virtuoz, me emrin Andrea. Ishte 1.95 m i gjatë. U lodh shumë me mua. Dhe pas lojës, me kapi kryet me dorë, sikur kërkonte të shprehte mirënjohjen dhe befasinë e tij, për lojën surprizuese që zhvilloi djaloshi 16 vjeçar nga Durrësi.
Profkola veshi fanelen e parë të basketbollit me tradita të Durrësit, mjaft herët aq sa mund të jetë rekordi i moshës në të gjitha kohët. Niko luajti me një brez të njohur basketbollistësh si Hercek, Sotiri, Dollani, Luli, Hyka, Jaho dhe respekti për të u ruajt edhe nga korifej të tillë të sportit të koshit si Fagu, Shehu, Murzaku, Përmeti, Shaka, Pali, Zaçe, Shkurti etj.
Pas ndeshjes me Kubën, Tirana i kërkon ndihmë ndaj basketbollit më të fortë në nivel botëror siç ishte “Ylli i Kuq” i Beogradit. Dueli me fundorin më të mirë të Jugosllavisë Slarniç, është arkivuar në historinë e këtij sporti. Profkola grumbullohej në ekipin kombëtar, vetëm për ndeshjet brenda vendit. Nuk e lejuan të zhvilloj qoftë edhe një takim ndërkombëtar jashtë kufijve.
Kur shkoi në Tiranë, si student pasi fitoi të drejën e shkollimit në Institutin e Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi”, të tria klubet e kryeqytetit u “grindën” njëri me tjetrin, për ta bërë të vetin durrsakun çudibërës. “Dinamo” vuri “kthetrat” e para. Por “Partizani” dhe Tirana protestuan, se nuk lejohej që një sportist student të luante me ekipet e tjera, veç Universitetit.
Një njeri me peshë i tha Profkolës:
-Mbetesh idhull për shumë njerëz, duke e krahasuar atë me një gisht nga pesë të tilla të një dore, ku katër gishtat e tjerë e përbënin në futboll Zhega dhe Çeço, në volejboll Terihati dhe Panteqi. Dhe në basketboll i vetëm Profkola.
Kjo ishte fama e Nikos, e pakonkurueshme. Kur kaloi me “Studentin”, Rektori i atëhershëm, njeriu i urtë Kahreman Ylli bëri “dasëm”. Falë këtyre lidhjeve me Yllin, Profkolës filluan ti thërrasin zëvëndës rektor.
-Kam kujtime të mira nga ai burrë. Luanim çdo mëngjes basketboll. A e dini ju, se më kishin emëruar drejtor i objekteve sportive të Universitetit? A e dini ju, se më zgjatën edhe një vit shkollën, vetëm për të luajtur me këtë ekip? A e dini ju që Kahreman Ylli, më dha dy dhoma e një kuzhinë dhe më emëroi pedagog në Konservator?
Nuk qendrova. Nëna nuk vinte në Tiranë dhe duhej të kujdesësha edhe për të.
Me “Studentin”, Niko u bashkua me durrsakët e tjerë si Agarajin, Rekën, Kalebotën, Jorgonin. Konkuronin edhe “Lokomotivën”.”Lokomotiva” ishte aq e njohur në basketboll, sa që mbaheshin dy ekipe cilësore.
“Populli nuk ka ngritur kërkënd në krah veç Profkolës”
Pas një historie suksesi në Tiranë, Profkola kthehet në vendlindje. Emërohet në shkollën “Naim Frashëri”. Më pas tek “Leonik Tomeu” dhe fiksohet në “7 Nëntori” me klasat sportive. Me Profkolën ka ndodhur një ngjarje e pazakontë.
Marsi i vitit 1972. Durrësi luante me Tiranën. Ishte në sfera të larta të tabelës. Pallati i sportit “Punëtori” i tejmbushur. Niko Profkola atë ditë, ka zhvilluar ndeshje të paharrueshme dhe të pabesueshme për nga shkalla e lartë e nivelit, preçizionit, teknikës së triblimit dhe përdorimit të topit. Ishin aftësitë improvizuese të Profkolës, që “Lokomotiva” gëzoi një popull të tërë dhe doli fituese nga loja, duke u shoqëruar me thirrje dhe ovacione çdo kosh i tij.
Ndeshja nga brenda, vazhdoi të luhej edhe jashtë. Mijërat e tifozërisë dhe qytetarëve durrsakë, po e pritnin idhullin e tyre tek dera e daljes së sportistëve. Sapo kanë parë Profkolën, e kanë ngritur peshë, duke e mbajtur në shpatullat dhe kokat e tyre. Thirrje entuziaste dhe ekzaltuese: Niko! Niko!
Dikush dha “urdhër”, ta dërgonin deri në shtëpi. E meritonte ky njeri. Dhe turma gjigande e njerëzve, e dërgoi Profkolën nga pallati i portit deri në shtëpi mbi trupat e tyre. Edhe kur na tregonte Profkola këtë ngjarje, qante si fëmijë.
-I detyrohem qytetarisë durrsake! Më ka respektuar shumë, shumë! I faleminderit të gjithëve!
Volejbollistja mitike shqiptare Ela Tase, i ka thënë Profkolës me humor:
“Edhe ne Niko kemi dalë kampion. Madje kemi fituar edhe me ekipe të huaja shumë të forta. Por kërkush nuk ka mbajtur në krah dhe aq më pak, të na çonte në shtëpi siç vepruan me ty”.
“Lutja e Salvator Sotirit dhe e Fatos Muçës”
Ngjarje, episode, dukuri të rralla, përjetoi Profkola në basketboll dhe në sporte. Më këshillonte disa herë gjatë bisedës së zhvilluar, që të bëj kujdes të shpërndaj edhe vërejtje, kritika.
-Në karrierë, kam hasur njerëz dashamirës, por edhe nga ato që nuk i pëlqeja. Biografia shfrytëzohej rëndom në të tilla raste. Por edhe xhelozia ishte e madhe. Nuk i mbajta kërkujt inat. Veçse kam ndihmuar në jetë dhe për këtë, nuk kam kërkuar shpërblim.
Vetëm një fakt nuk e harroj dhe këtë jo për shpagim, se sa për gjykimin e cekët dhe të ngushtë, aspak miqësor dhe dashamirës ndaj meje, ndonëse e kisha ndihmuar atë njeri.
Diku nga vitit 1979, pasi kisha insistuar për të qenë trajner i ekipit Ilia Xhako, vij në stërvitje me 5 minuta vonesë. Kisha vajzën sëmurë dhe u detyrova t’i shërbeja. Por në stërvitje shkova. Dhe Ilia Xhako ma tha:
“Profkolë, sot je i pezulluar!
Ndoshta ishte një lloj hakmarrje, nuk e di përse. E shikova në sy dhe atë ditë u largova nga basketbolli. Qaja me dënesë. Jo thashë me vete, kështu nuk duhej të veprohej.
“Lokomotiva” atë fazë ishte për titull dhe kryesonte tabelën. Në fazën e dytë pësoi tetë humbje dhe rrezikonte të largohej nga kategoria. Kisha 6 muaj që e kisha lënë basketbollin. Më vijnë në shtëpi Tor Sotiri dhe Fatos Muça, dy qytetarë të denjë të Durrësit, të cilët m’u lutën të vija të shpëtoja Durrësin nga rënia në kategorinë e dytë. U thashë që nuk kam bërë stërvitje, jam i pamundur. Talenti yt bën çudinë më thanë miqtë dhe do të vish për hatrin tonë, të atyre durrsakëve, që nuk duan t’i mbetet në derë turpi i kategorisë së dytë.
Por a është dakort Ilia Xhako? Reagon Profkola. “Niko do të vish patjetër, ta kërkon këtë një popull. Është ai popull që të mbajti në krah. E kanë mëndjen tek ty”, insistonin Sotiri dhe Muço. Desha, s’desha u paraqita në ndeshje.
Luante “Vllaznia”, e cila ishte për titull kampion. “Lokomotiva” largohej nga kategoria. U zhvillua një ndeshje dramatike. Pallati po merrte “flakë” nga entuziazmi, kur më panë në lojë. Kam vënë re njerëz që qanin si fëmijë. Thërritnin me sa fuqi që kishin: Niko, Niko!
Fituam për një pikë. M’u duk vetja përsëri i ri. Më erdhi mirë, që e ndihmova ekipin me të cilin më lidhin ngjarje dhe histori të bukura, njërëzore, të veçanta. Vetëm një njeriu atë ditë nuk ia dhashë dorën. Dhe ai ishte Ilia Xhako, nën drejtimin e të cilit “Lokomotiva” bëri histori të dhimbshme për t’u harruar.
Era e Profkolës
Niko Profkola u bë shpejt i njohur në të gjithë Durrësit. Fama e “harlemave” të “Lokomotivës”, mori dhenë në të gjithë vëndin. Dhe në ballë të plejadës më të shkëlqyer të basketbollit durrsak, rrinte “Mjeshtëri i Madh” dhe “Qytetar Nderi i Durrësit”, i papërsëritshmi, mitiku dhe nostalgjiku Nikolla Profkola.
Profkola trajner me të rinjtë, njohu edhe tri tituj kampionë. Drejtoi edhe ekipin e të rriturve, duke patur në krah profesorin e tij, Bashkim Tagën. Nxënësi i dikurshëm tani koleg me profesorin e tij. Profkola gjithashtu kujton edhe Dhimitraq Gogën.
Goga dhe Taga, periudha e demostrimit të fuqisë së basketbollit.
Historia moderne e basketbollit durrsak, e atij basketbolli që bëri hop cilësor, është lidhur kryekëput me emrin e Niko Profkolës. Mjeshtri i madh i topit, nderi i të gjithë durrsakëve, deomos do të çonin këtu tek titujt e mëdhenj “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, “Nderi i Sportit Kombëtar” dhe më pas dy nderet e ndereve të mëdha: “Mjeshtër i Madh” dhe “Qytetar Nderi i Durrësit”.
Dhe vjen një ditë… Po, po! Dhe vjen një ditë…! Që ky Niko Profkola të hypë në panteonin e basketbollit durrsak dhe si një kurorë lavdie të qendroj në arritjet historike të basketbollit shqiptar. Çdo lloj politike, e kujtdo krahu qoftë si dje, sot dhe në të ardhmen nuk do të mundet ti lëvizë qoftë edhe një fije floku, lavdisë së krijuar nga forca e pabesueshme e talentit të tij.
Nikolla Profkola është mishërimi i qytetarisë durrsake jo vetëm në sport, por edhe në urtësi, në karakter, në moralin njerëzor, në fisnikëri dhe humanizëm. Le të shërbejë ky profil i plotë i jetës së tij, për t’i dhënë kurajo dhe forcë që të mbetet sa më gjatë pranë nesh.
Bujar Qesja
Durrës: 30 nëntor 2022