Nga Blendi Fevziu
1nentor 2015 – I dashur Bushat. Lexova dje intervistën tënde për problemin e Lagunës Blu dhe raportin me Aleksandër Frangajn. Nuk kam dashur asnjë moment të hyj në atë debat dhe as më pëlqen të merrem. Por pasi lexova sot një shkrim të Andi Bejtes, besoj se është më mirë dhe shumë më në ndihmë të publikut t’i them ca gjëra. Nuk po bëj as intervistë, as shkrim dhe as deklaratë. Po të drejtohem direkt me bindjen se të vërtetat janë të vërteta vetëm kur thuhen deri në fund. Edhe pse qenia njerëzore është gjithnjë e prirur ta shohë padrejtësinë në një drejtim. Sheh vetëm padrejtësinë që pëson dhe rrallë, ose thuajse kurrë, padrejtësinë që vetë bën ndaj tjetrit. Nganjëherë edhe padashje.
Do doja të të shkruaja për dy gjëra, problemin e gazetarisë në Shqipëri dhe Lagunën Blu, ku që prej 13 vitesh kalojmë pushimet e verës të dy! Do shkruaj shkurt, për të mos i humbur argumentat. Nuk po shoh t’i lëmoj frazat dhe as do merrem me citime sepse e di që kjo është e gjitha një gjë aq e shëmtuar sa çdo rregullim do të na bënte të dukeshim edhe më të shëmtuar në sytë e publikut.
Por e nis me gazetarinë!
Ti thojë që pyetjet ishin alla Sandër. Thoje edhe që nuk ishin dhënë akuzat dhe nuk mund të jepej një reagim i Sandrit. Po, ke të drejtë. Në kemi dhënë një lajm 4 ditë më parë për sherrin tek laguna Blu, duke cituar banorët, PD dhe Qeverinë. Kaq. Mund të kishim dhënë edhe më shumë, por nuk dhamë. Por as media të tjera nuk i kushtuan ndonjë rëndësi të madhe. Do të ta them edhe shkakun përse nuk dhamë por më poshtë. Sa për pyetjet ato ishin standart, të njëjta me të Frangajt dhe s’kishin lidhje me ndonjë qëndrim të caktuar. Ti nuk e imponon dot pyetjen dhe ke një jetë që thua nuk ka pyetje të fajshme. Po kjo s’ka asnjë rëndësi. Po kthehem tek qëndrimet.
I dashur Bushat, çdo gjë në botë është krahasuese. Ti thua gjithnjë që unë nuk matem me ambientin, por me parimet e mia. Unë po matem me ambientin. Me gjej një tjetër media në Shqipëri që sapo boton intervistën e drejtorit të Klan ku ajo është pjesë, të çon edhe ty pyetjet për përgjigje. Më gjej një media tjetër në Shqipëri, ku ti thua çfarë të duash për pronarin. Madje edhe gjëra për të cilat nuk je i bindur. Më gjej një rast të ngjashëm me OPINION ku kushdo që vjen thotë çfarë do madje edhe kundër meje, live në TV. Një media tjetër ku drejtuesi lexon edhe komentet kundër tij të cfarëdo lloji qofshin ato. Në fakt kjo nuk është ndonjë meritë, është thjeshtë detyrim, por më thuaj sa media e bëjnë këtë në Shqipëri?! Në sa media mund të flasësh kundër pronarit, drejtuesit, dhe kujtdo tjetër?!
Më flisje për qëndrimin që duhej të mbaja unë si gazetar. Ti dhe Frangaj keni qenë miq përpara meje, keni një raport tuajin dhe mua s’më takon të futem në mes. Më takon vetëm t’ju jap të njëjtën hapësirë edhe pse më vjen keq që e gjitha shkoi në këtë drejtim. Tani po i kthehem gazetarisë.
Bushat, unë dhe ti kemi mëkatet tona. Po i kemi. Ti mund të më thuash mua se nuk kam dhënë qëndrimin tënd për Lagunën Blu. Unë mund të të pyesja përse në gjithë këto ditë nuk ke asnjë shkrim dhe asnjë lajm për tenderin e Dializës?! Madje as kur e denoncon Jozefina Topalli? Përse në një moment nuk shkruajte asnjë rresht për Fullanin, madje edhe kur e dije situatën e tij?! Përse nuk u shkruajt asnjë rresht për kompanitë e tjerë që mblidhnin borxhet e CEZ veç DIA? Përse nuk the asnjë gjë për kompanitë e interkonjeksionit, edhe kur një gazetare shumë e njohur e OPINION u konfliktua? Këto kam parë unë dhe mund të ti rendisja. Por se kam bërë se më është dukur pa sens. Gazetaria nuk bëhet me ca detaje që mund të bjerren edhe nga mungesa e profesionalizmit apo ajo e vëmendjes, por nga thelbi! Kthehemi tek Thelbi.
A ke thënë ti, por edhe unë, ndonjë fjalë për fenomenin e shitjes së gazetarëve? Për biznesin e ndyrë të atyre që përdoren nga politika kundrejt shpërmblimeve? Ti dhe unë kemi parë bashkë një listë gazetarësh nga shumë të njohur e deri anonimë që paguhen nga një parti politike në qeveri. Madje edhe miq të mitë e të tutë. E kemi folur me dhjetra herë atë listë, por jemi ngushëlluar me faktin që ne nuk jemi aty. Madje që askush nuk është afruar as të na ofrojë diçka. Po kjo nuk mjafton. Sepse ne njihemi që prej 30 vitesh dhe ti e di që unë s’kam dashur kurrë për përfitoj nga statusi i gazetarit dhe besoj e kam bindjen se as ti e disa të tjerë nuk e kanë bërë këtë. Madje për ty ka qenë më e vështirë sepse me mua fati ka qenë më bujar. Pronat e vjetra të familjes sime kanë qenë të shumta dhe ato fare pak që arritën të na kthehen më kanë mundësuar një jetë pa kokëçarje. Dhe pa pasur nevoje të tundohem. Ti se ke pasur këtë ndihmë. Por a ekziston kjo gjobvënie? Ky presion ndaj bizneseve nga gazetarë që janë kthyer thjeshtë në grabitës dhe shantazhues?! Nëse po, thuaji emrat e tyre! A paguhen këtë njerëz me eurot që politikanët ju marrin atyre që fusin në punë si mësues dhe infermierë. A janë bërë këta grabitësit direkt të kursimeve të qytetarëve të mjerë, të cilët duhej ti ndihmonin dhe t’ju bëheshin avokat? Hap gazetat dhe shih emisionet ku nuk thuhet asnjë fjalë për ndonjë poltikan që e njohim mirë ne të dy. Hap portalet dhe emisionet e shih që nuk përmendet asnjë nga kriminelët që janë në parlament apo të fortët që po shkatërrojnë këtë vend. E pra, unë flas çdo natë për ta, me emër dhe direkt. Ndaj nëse ke kriter në një drejtim, duhet ta kesh edhe në tjetritn.
Po këtu, mos ngatërro raportet miqësore me ato të punës. Kritika jote e vazhdueshme ka qenë miqësia ime disa vjeçare me Sali Berishën. Po, unë e kam pasur mik Sali Berishën dhe ajo ka qenë një miqësi që më ka lënë mbresë. Por ti e di që Sali Berisha është pyetur më ashpër se në çdo studio tjetër në studion time! Këtë e ke në You Tube dhe e vërteton çdo moment. Ti e di që miqësia ime me Berishën u prish prej emisionit Opinion. E di po aq mirë që 8 muajt e fundit të qeverisjes së tij qenë shumë të vështira për mua profesionalisht, por unë nuk lëshova asnjë gjë nga emisioni. Dhe nuk u qarravita kurrë, as u ankova publikisht. Dhe nuk do ta bëj në asnjë rast. Me vjen keq për një miqësi të humbur, por në jetë miqësitë edhe rrallohen edhe firohen.
Aleksandër Frangajn e kam po ashtu mik. Nëse miqësia me të do fironte një ditë, do ikja po aq qetë, pa u ankuar e pa ngritur zërin për asgjë. Sepse midis miqësisë dhe profesionit, unë kam zgjedhur këtë të dytin. Me gjithë koston që ka kjo. Petro Marko, pak kohë përpara se të vdiste më pat thënë: {do gjë të lë në jetë veç veprës tënde. Isha student atëherë. Sapo kisha bërë shkrimin e parë dhe e takova falë Xhevahir Spahiut. Mbase as emrin s’ma mësoi, por më dha një mësim që s’do ta harroj kurrë. Ndaj unë, i qëndroj veprës sime. Gjykoje atë po deshe dhe krahasoje me këdo.
Dhe e fundit, Laguna Blu.
Nuk kam dashur të përfshihem në atë histori dhe kam hequr dorë prej vitesh nga angazhimi aty. Unë kam qenë banori i parë i atij fshati në 2002. Ashtu si ti kam një apartament në katin e dytë. Vitin e parë shihja nga ballkoni një pamje të mrekullueshme, pa asnjë ndalim. Pastaj ata të katit të parë nisën të ndërtojnë gardhe, të rrethojnë toka dhe të zaptojnë territore. Nisën të ndërtojnë shtesa dhe të devijojnë rrugët. Të gjitha pa leje. Të gjitha në shkelje të ligjit. Nuk qenë hallexhinj. As njërëz të zakonshëm. Qenë dhe janë elita e këtij vendi. Po cila elitë në fakt? Të gjithë ne aty përfaqësojmë Shqipërinë që është sot. Ndërtues të mëdhenj, që kanë shkatërruar Tiranën duke zaptuar gjithçka. Janë 7 nga 11 ndërtuesit më të mëdhenj të Shqipërisë në atë fshat. Secili prej tyre me kate të tëra pa leje në mes të Tiranës. Shkelës ligji do thoshe ti. Biznesmëne të mëdhenj, tregtarë, që vijnë me makina 200 mijë euro dhe refuzojnë të paguajnë detyrimin komunitar prej 39 mijë lekësh në vit. Që 10 fishin e këtyre lekëve e lenë në tavolina ku dehin doganierët e shtetit, por nuk paguajnë atë rojen e fshatit që ikën në shtepi pa marrë 15 mijë lekshin për të cilin ropatet. Politikanë që thyejnë cdo rregull komunitar, gjyqtarë që e kanë rrënuar dhe e kanë futur këtë vend të konflikt me papërgjegjshmërinë e tyre, gazetarë që ankohen për të tjerët, por kurrë nuk shohin veten. Kush e ka thyer ligjin Bushat? Unë i pari! Ti i dyti! Të gjithë ne që jetojmë të privilegjuar atje. E di pse? Sepse ne kemi rrethuar dhe mbajmë ende në izolim, 6 vjet pasi ka dalë ligji një sipërfaqe prej 9 ha! E mbajmë sepse na bezdisin të tjerët. Jemi ne që kemi zënë rrugën e komunës për të dalë në det. Dhe e di, shumë prej atyre që protestojnë trokisnin në derën e Sandrit për të fituar këto privilegje. Për të mos hapçur rrugën, për të mos prishur rrethimin e fshatit. Një fshat milionerësh që refuzojnë të paguajnë 3000 Euro për të blerë ambientet e përbashkëta, Pishinën e fushat. Dhe që mos të paguajnë këto lekë shfrytëzojnë ndikimin e tyre për të mos zbatuar ligjin. Merri një për një dhe shihi sa prej tyre janë bërë pronarë të mijëra metrave katrorë tokë komunitare edhe pse s’kishin asgjë. Bëji thirrje Kryeministrit t’i trajtojë edhe këta “Vip” –a si gjithë shqiptarët e tjerë! Ti nxjerrë të bëjnë plazh bashkë me të tjerët dhe të ndalojë izolimin e tyre Brenda një parajse të rrejshme. Ky ëhstë zbatim ligji. Për këtë unë them që Kryeministri është selektiv. Sepse në atë fshat banojnë disa ministra dhe ish Ministra. Ndaj ata nuk I prek ligji. Ajo është Shqipëria që kemi ngritur Andi. Shqipëria e fëmijëve të biznesmenëve, që qarkullojnë me makina sportive që bëjnë më shumë se sa merr rrogë një nëpunës gjatë gjithë jetës. Shqipëria e atyre që janë pasuruar mbi spekullimin dhe që shkeljen e ligjit dhe mos bindjen ndaj tij e dinë privilegj të statusit që kanë.
Ndaj e fillova nga vetja duke besuar se sa më shumë të flasim për këto gjëra, aq më mirë do ti bëjmë këtij vendi!