Paro Ziflaj, këngëtare e njohur e polifonisë dhe muzikës popullore, ka rrëfyer në “Vila 24” fillimet e daljes së saj në skenë dhe performancën para Enver Hoxhës ku së bashku me grupin e saj i kënduan këngën “rrofsh sa mosh e kësaj toke”.
Ajo tregon emocionet që e shoqëronin gjatë kësaj performance, pasi, siç shprehet, nëse do të bëje një gabim, akuza do të ishte se “gabimi ishte bërë me qëllim”.
Ka vende që janë larg dhe nuk shkon nëpër koncerte?
Paro: Ka vende që janë larg. Edhe pagesat nuk janë të mëdha që të të joshin. Ne nuk rendim pas pagesave, por kjo është punë, lodhesh. Nuk është tralala. Puna fillon që nga përgatitja e valixhes, këpucët, fustani, çfarë të veshësh. Ka gjëra që të stresojnë. Sa më shumë të njihesh në publik, aq më shumë përgjegjësi ke.
Si ishte ai momenti kur t’u besua kënga “rrofsh sa mosh e kësaj toke”. Kënga e kënduar në prezencë të tij pak para se të ndahej nga jeta?
Paro: Në 1983 e kënduam ne këngën. Ne bënim prova si gjithmonë. Tekstin e ndërtuan disa poetë se atëherë ishte kulti i individit, kush e kush të këndonte për Enverin. Të gjitha rrethet bënin këngë për Enverin dhe mendonin se do të merrnin çmime se kështu ishte koha. Ne bënim prova 3 muaj para se të shkonim në festivale. Kompozimin e bënim vetë. Kur bënim provat, ishte këngë e zakonshme. Kur shkuam në festivalin e Gjirokastrës ku ishte mbushur kalaja, u ngritën në këmbë. Ne thamë “paskemi qenë të mirë ne”. Këngët fituese i sillnin në Tiranë, në koncertin qeveritar. Aty kishim rastin që ishte edhe Enver Hoxha.