Nga Artion Barjamaj
Duket e çuditshme por është e vërtetë: Kanë kaluar plot 30 vite nga periudha kur Shqiptarët rrëzuan sistemin komunist. Në këto 30 vite, ndër termat më të përdorur të klasës sonë politike ka qënë fjala “demokraci”. Demokraci si një sistem qeverisës ku pushteti politik ushtrohet nga të gjithë njerëzit, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo nëpërmjet përfaqësuesve të tyre. Kjo fjalë ka patur përdorime të pafundme në shoqërinë shqiptare, në studio televizive, në radio, në gazeta, revista, mbledhje të ndryshme, madje madje edhe në parlament.
Një ndër konceptet kryesore të demokracisë është e drejta e votës, e cila në thelb është e drejta e cdo qytetari për të zgjedhur përfaqesuesin ose përfaqësuesen e tij në organet vendimmarrëse të qytetit apo shtetit ku jeton. Për shumë Shqiptarë e drejta e votës konsiderohet si nje e drejtë e garantuar, dicka që I takon, I është falur dhe që nuk mund t’ja heqë askush. Betejat për pluralizëm politik në vitet 90’ në Shqipëri u harruan shpejt dhe sot kjo e drejtë për të votuar nuk po vlerësohet aq sa duhet. Në fakt, në historinë e njerëzimit e drejta e votës nuk ka qënë gjithmonë kaq e sigurt. Në vende të ndryshme të botës, janë zhvillluar luftëra për këtë të drejte, njerëz janë vrarë vetem për të patur mundësinë të ndikojnë edhe ata në zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre. Kujtoj betejën 80 vjecare të grave amerikane të cilat në vitet 1840 filluan betejën e tyre për të patur të drejtë vote në SHBA, betejë e finalizuar me sukses në vitet 1920. Gjitashtu, duhen permendur betejat e shumta të komunitetit Afro-Amerikan të cilët më në fund arritën të fitojnë të drejtën e tyrë për të votuar vetëm në vitet 1965. Këto komunitete sakrifikuan, luftuan dhe e fituan këtë të drejtë.
Po Shqiptarët, cfarë raporti kanë me të drejtën për të votuar? A po e vlerësojnë mjaftueshëm atë?
Për t’ju përgjigjur këtyre pyetjeve do na duhej të benim një kategorizim të llojeve të votuesve.
Modeli i votuesit “perfekt”
Votuesi “perfekt” zgjedh forcën politike që ofron programin më të mirë, alternativën më të mirë qeverisëse, shqyrton kandidaturat dhe më pas voton. Pak utopike apo jo? Ky lloj votuesi është shumë I rrallë. Në fakt, ky lloj votuesi ekziston, por kryesisht nuk del aspak të votojë. Kjo pasi politika e ka humbur besueshmërinë për këtë lloj votuesi. Shumë gabime janë bërë në të shkuarën dhe ky lloj votuesi është zhgënjyer, është larguar dhe nuk voton. Do duhej një punë kolosale për t’ja rifituar besimin.
Votuesi “tifoz i një partie politike”
Modeli I dytë I votuesit do ishte votuesi “tifoz I një partie politike.’ Ky lloj votuesi nuk shqyrton programet, idetë, individët që përfaqësojnë një forcë politike, por di vetëm që është “tifoz” I asaj force politke dhe për atë voton. Kryesisht në këtë kategori futen votues të partive të majta Shqiptare (nëse mund t’I quajmë të tilla). Këta votues, edhe pse e dinë shumë mirë që forca e tyre politike nuk po performon mirë, mund të ketë dështuar me qeverisjen e vendit, prap kanë nje besnikëri ndaj ngjyrave, ndonjëherë të pashpjegueshme. Ky grupim sa vjen edhe po zvogëlohet, kjo pasi krysisht në këtë grupim bëjnë pjesë njerëz të moshuar. Por nuk është për tu çuditur kur mund të vihet re kjo sjellje e prapambetur edhe në brezat e ri, individë kryesisht të indoktrinuar nga paraardhësit e tyre. Votues të tillë ka dhe djathtas (PD), por janë shumë më pak. Demokratët në Shqipëri janë krijuar nga një revolucion, në themelet e tyre kanë ish të përndjekur politik, njerëz kundër sistemit, studentë, intelektuale etj, njerëz që morën guximin të dalin kundër sistemit komunist, për rrjedhojë shpesh hërë kanë marrë guximin të dalin edhe kundër forcës së tyre politike. Është pikërisht kjo që e bën këtë forcë politike të jetë ndonjëherë herë edhe anarkike, pra njerëzit nuk I pranojnë të “vihen në rresht”. E si mund të pranojnë të “vihen në rresht” njerëz që morrën guximin të luftojnë systemin komunist? Për rrjedhojë mund të themi modeli I votuesit “tifoz” dominon më shumë tek të majtët në Shqipëri.
Votuesi “Idealist”
Lloji tjetër I votuesve do ishte ai I votuesve idealist. Ka votues të majtë që lidhin votën e tyre me PS akoma me idealin komunist, edhe pse PS aktuale në Shqipëri nuk ka më asgje komuniste, madje, nuk ka më asgje socialiste në përbërjen e saj. Ndërkohë, ka votues djathtas që votojnë pasi identifikojnë PD me forcën politike që rrezoi përfundimisht sistemin komunist dhe që I mundësoi lirinë, pluralizmin politik dhe ekonomik në vend. Një lidhje e tillë shpirtërore vazhdon të jetë shume e fortë për shumë votues, edhe pse shpesh herë mund të jenë zhgënjyer nga sjellja e forcës politike që kanë mbështetur. Megjithatë, ata vazhdojnë ti qëndrojnë besnik kësaj force politike dhe të kontribuojnë në mënyrë të heshtur në qëndrueshmërinë e saj.
Votuesi i “lidhur me pushtetin”
Modeli tjetër I votuesit në Shqipëri do të ishte ai I votuesit “të lidhur me pushtetin”. Ky lloj votuesi nuk shfaq asnjë lloj interesi për idetë, bindjet, programet, njerëzit, mirëqënien e përgjithshme etj. Ky lloj votuesi interesohet vetem për dicka: interesin e tij. Ky interes shfaqet nëpërmjet një vendi pune në administratë, përfitimeve ekonomike nëpërmjet një biznesi apo dhe thjesht lidhjes së një familjari me pushtetin. Ky lloj votuesi është kryesisht I kontrolluar nga forca politike në qeverisje. Për të mbrojtur interest e tija ai/ajo pranon të “vihet në rresht” për cilëndo forcë politike që është në qeverisje dhe e vetmja gjë që kërkon është që pozitat e tij të forcohen ose minimum të mos cënohen. Këta e kuptojnë shumë mirë se ajo që po bëjnë është e gabuar, se kjo shkatërron demokracinë në vend, por kjo nuk prek drejtpërdrejt interesin e tij, për rrjedhojë nuk I intereson. Përgjithsisht, ky model votuesi është ai model personi që është I paaftë të eci përpara në jetë me forcat e tij dhe e vetmja zgjidhje që mendon është t’I serviloset pushtetit duke I kërkuar mëshirë në mënyrë qe të mos cenohet. Në mënyrë të zbukuruar këtë lloj votuesi tentohet shpesh herë ta quajnë si votues “pragmatist”, por në fakt është thjesht një votues që sheh thjesht interesin e tij dhe orienton votën e tij pa u ndikuar aspak nga idetë, parimet apo bindjet. Festivali më madhështor për këtë lloj votuesi, por që në thelb ishte një festival vogëlsie dhe përuljeje ishin zgjedhjet lokale të Qershorit 2019. Rreth 18% e popullsisë votuese dolën të votonin edhe pse e dinin se nuk kishte garë, në fakt, ishin zgjedhje të ngjashme me ato të sistemit monist dhe ata e dinin këtë. Shumica shkuan të votonin duke u fshehur dhe gjithë turp pasi e dinin se ajo që po bënin nuk kishtë kuptim dhe ishte shumë e turpshme për ne si popull. Që të jemi të saktë, ky festival kishte 18% te votuesve në total, shifër kjo zyrtare, edhe pse akuzat për mbushje kutishë me vota nga komisionerë të PS nuk ishin të pakëta. Ky lloj votuesi nuk do t’ja dijë për keqqeverisje, për politikanë të korruptuar, për njerëz të paaftë në administratë, për shkatërrimin që I sjell vendit një sistem I tillë apo për gjithë energjinë negative që akumulohet në popullsi prej klasës drejtuese që suporton. Ai thjesht nuk do t’ja dijë, I mjaftojnë ato thërrimet e vogla nga tepsia që kanë lënë “ujqërit e vjetër” të babëzitur. Kaq mjafton që të ndihet I lumtur, që jeta e tij/saj të ketë kuptim. Të jetë vërtetë I lumtur? Apo thellë thellë ndihet vërtetë shumë keq për këtë zgjedhje?
Modeli I fundit fokus I këtij shkrimi do të ishte një model shumë I vecantë votuesi, një lloj votuesi që është subjekt I shumë debateve, diskutimeve, ka shumë argumenta pro, por edhe shumë kundër për sjelljen e tij. Ky lloj votuesi është votuesi që shet votën.
Votuesi që shet votën
Sic thamë më parë, sjellja e tij si votues do kishte shumë argumenta pro dhe kundër. Argumenti pro për të shitur votën për këtë votues do të ishte se gjendja e tij ekonomike është shumë e rënduar. Se në shtëpinë e tij/saj mjerimi është ulur këmbëkryq, se nuk ka ushqim për të ngrënë në familje, se shtëpia është e shkatërruar, se nuk ka para për arsimimin e fëmijëve etj. Se me shumë mundësi shtëpia I është shkatërruar nga tërmeti dhe nuk ka para ta rregullojë, se mund ti jetë përmbytur shtëpia dhe se nuk ka marrë kurrë suport nga shteti, se kanë ardhur ti kërkojnë votën, I kanë premtuar dhe e kanë gënjyer dhe shumë argumenta të tjerë. I ndodhur në këto kushtë ky lloj votuesi detyrohet të shesi votën. Nuk po flasim për një target grup të vogël votuesish, por për mijëra në cdo qytet.
Po argumentat kundër?
Argument kundër do ishte se të shesësh votën do të thotë të shesësh dinjitetin tënd, se praktikisht ajo votë e shitur do të të mundësojë 2-3 ditë ushqim dhe më pas për 4 vitet e ardhshme do I rikthehet mjerimit. Se në fakt ato 50 euro të përdorura për ta blerë votën e tij, janë 50 euro të vjedhura nga buxheti I shtetit nga personi që po ja blen. Pra, praktikisht, individi që shet votën, paguan taksa për 4 vite, shumica e këtyre taksave vidhen nga shtetarët dhe në fund të 4 viteve një zyrtar shtetëror I afrohet dhe I ofron para për të blerë votën e tij me paratë e taksave të tija! Praktikisht, parimi do ishte shumë I thjeshtë: “Blej votën me paratë e tua”.
Atëherë, si do ishte e arsyeshme të veprohej?
Duke patur parasysh ku e ka cuar Shqipërinë ky lloj sistemi ku shitet vota, do ishte e nevojshme që votuesi që “shet votën” të konvertohej në një votues që “voton me arsye”. Ndoshta kërkohet shumë, por këtij votuesi për zgjedhjet 2021 do I kërkohej të bënte një sakrificë për demokracinë. Sakrifikohen paratë e marra nga vota për të fituar dinjitet si qënie njerëzore dhe për të larguar pushtetarë të korruptuar nga drejtimi. Të jemi të sigurt se nëse veprime të tilla masivizohen, do kemi një Shqipëri më të mirë, me më shumë mundësi punësimi, me shumë drejtësi, më pak korrupsion dhe më pak migracion.Të jetë shumë herët për dicka të tillë? Koha do ta tregojë, Prilli po afron…