Nga Mila Ballhysa
Në një kohë kur Durrësi zien nga debati i nxehtë për ndërtimin me çdo kusht të Velierës, projektit të kushtueshëm të prezantuar nga bashkia e qytetit bregdetar, dhe pezullimit të punimeve, të kërkuar nga shoqëria civile dhe opozita për ruajtjen e gjurmëve arkeologjike dhe historike të zbuluara në një pjesë të sheshit ku do të ngrihet Vela gjigande, një lajm nga qyteti i Romës tërheq vëmendjen.
Në kryeqytetin e Italisë është inaguruar sot muzeu i nëndheshëm, i ndërtuar nën restorantin McDonald’s. Il Messaggero raporton se në vitin 2014, gjatë gërmimeve për ndërtimin e restorantit të firmës së njohur ndërkombëtare dolën në dritë gjurmët e rrugës anësore që lidhej në antikitet me rrugën e famshme Appia.
Megjithëse punimet kryheshin nga një kompani private, kjo e fundit nuk nxitoi të mbulonte zbulimin e rëndësishëm, përkundrazi, njoftoi autoritetet, të cilat ndoqën nga afër të gjitha punimet për zbulimin e plotë të këtyre gjetjeve arkeologjike.
Interesant është fakti se kompania McDonald’s financoi jo pak, por plot 300 mijë euro për realizimin e të gjitha punimeve, zbulimin e 45 metrave rruge antike dhe ndërtimin e muzeut të nëndheshëm, poshtë restorantit të saj.
Siç shkruan gazeta italiane artemagazine.it, kryebashkiaku Colizza, i pranishëm në inagurimin e sotëm e cilësoi këtë vepër “një shembull pozitiv i bashkëpunimit mes sektorit publik dhe atij privat, falë të cilit u lidhën më së miri interesi i sipërmarrësit me vlerësimin dhe respektimin e historisë dhe të arkeologjisë”.
Në këtë rast, kujtojmë se kompania McDonald’s është ndërkombëtare dhe jo italiane, kështu që nxjerrja në pah e vlerave të arkeologjisë së vendit fqinjë mund të mos ishte në prioritetet e saj.
Por një zbulim arkeologjik mbetet i tillë dhe të huajt duket se ia dinë shumë mirë vlerat, madje investojnë vetë për t’i ruajtur ato dhe për t’i kthyer në të vizitueshme nga të gjithë.
Krejt e kundërta ka ndodhur këto ditë në Durrës. Megjithëse shoqëria civile dhe opozita kanë dokumentuar me foto zbulimin e rëndësishëm të murit bizantin në krah të Torrës dhe lidhjen e tij me Portën e Diellit që ndodhet poshtë pallatit 15-katësh që ngrihet mbi të, bashkia nuk është ndalur aspak në vazhdimin e punimeve me ritëm tepër të shpejtë.
Këtë e tregoi një ditë më parë, betonizimi i hapësirës përreth Torrës Veneciane mbrëmjen e së hënës si për t’i treguar durrsakëve se punimet bëhen natën dhe me tre turne…
I ftuar në një emision televiziv disa ditë më parë, kryebashkiaku Dako u mundua të shpjegojë se mbetjet e periudhës osmane, të zbuluara në afërsi të "Fly" do të ruhen. Të njëjtën gjë ai u mundua të shpjegojë edhe para shoqërisë civile në dëgjesën e bërë një javë më parë në Pallatin e Kulturës duke paraqitur shembuj edhe nga raste të ngjashme në Europë.
Kryebashkiaku Dako e viziton shpesh Italinë. Ndoshta mund të bëjë ndonjë vizitë në këtë muze për të marrë eksperiencë sesi veprojnë të huajt në këto raste!
Fatin që do të kenë këto gjetje të periudhës osmane do ta tregojë veç koha, nëse ato do të mbulohen nën shtresat e betonit apo do të jenë të vizitueshme nga turistët që sipas bashkisë pritet të thithë Veliera 6 milion euroshe.
Gjithsesi për t’ju rikthyer edhe njëherë lajmit që vinte sot nga Roma, një kompani ndërkombëtare pati durim plot 2 vjet dhe investoi mijëra euro për evidentimin e vlerave arkeologjike të Italisë.
Në Durrës, ngutja e pushtetarëve vendorë është mjaft e madhe për të realizuar projektin që duket se do përdoret si Kalë Beteje në fushatën zgjedhore, aq e madhe sa për të mos pritur as mendimin e ekspertëve dhe as për të respektuar vlerat arkeologjike të qytetit, që toka i ruajti me fanatizëm në shtresat e saj.
Njerëzit kanë treguar se dinë të shkatërrojnë në një kohë shumë të shkurtër atë që natyra ka ditur ta ruajë në shekuj e mijëravjeçarë. A vlen kjo shprehje edhe për pushtetarët vendorë në Durrës!?





