ITALI  Gjykata e Strasburgut ndëshkon Italinë për trajtimin çnjerëzor dhe degradues të një qytetari shqiptar dhe gjashtë bashkëvuajtësve të tij që ishin izoluar në burgun e “Busto Arsizio” në Piacenza. Afrim Sela, 33 vjeç, i dënuar nga gjykata italiane, së bashku me katër shtetas italianë dhe dy emigrantë afrikanë i ishin drejtuar gjykatës së Strasburgut, duke u ankuar për kushtet degraduese dhe trajtimin skandaloz në burgun ku vuanin dënimin. 

Ankesat ishin bërë individuale nga secili prej të dënuarve, por gjykata europiane kishte nxjerrë një vendim- pilot duke i shqyrtuar të shtata çështjet së bashku, pasi ndodheshin përpara së njëjtës problematikë.

Në vendimin e dhënë ditën e djeshme, Gjykata europiane doli në përfundimin se kushtet e qëndrimit në burgun “Busto Arsizio” ishin tejet të rënda dhe përbënin trajtim çnjerëzor dhe degradues për individin, konkretisht për shtatë të dënuarit që u ankuan, mes të cilëve edhe shqiptari Afrim Sela.

Strasburgu nënvizonte në vendim se ishte shkelur e drejta e garantuar nga neni 3 i Konventës, të cilën shtetet palë janë të detyruara ta zbatojnë. Gjykata kishte vlerësuar si trajtim çnjerëzor e degradues, faktin se në një qeli me sipërfaqe 9 m2 qëndronin në mënyrë të përhershme 3 persona, çka është e ndaluar, pasi kubatura është e pamjaftueshme. 

Gjithashtu në vendim thuhej se personave të dënuar u mungonte uji i ngrohtë, si dhe ndriçimi i pamjaftueshëm në qeli, çka u konsideruan se përbënin trajtim degradues për ta. Në këto kushte, gjykata europiane për të drejtat e njeriut vendosi të shpërblejë me nga 100 mijë euro secilin prej të dënuarve që kishin përballuar trajtimet skandaloze. Shteti italian është i detyruar ta zbatojë vendimin brenda tre muajve, në të kundërt rrezikon një ndëshkim të radhës.