Ende pa kaluar 24 orë, pasi LSDM dhe BDI kumtuan se do të shkojnë me kandidat të përbashkët edhe opozita gjeti kandidatin e vet. Ish-ambasadori dhe profesori universitar, Blerim Reka do të jetë kandidat i pavarur, por i mbështetur nga opozita shqiptare.
“Janë dy arsye për këtë vendim. E para: vetëm me kandidatët maqedonas, pa asnjë shqiptarë, kjo shoqëri multi-etnike, rrezikon të rrëshqet drejt shtetit mono etnike; e shqiptarët vetëm votues, por jo edhe te votuar. E dyta: Vetëm kritikat intelektuale – pa i hyrë përballjes politike – nuk mjaftojnë për ndryshimin e gjendjes. Ato, në FB mbeten virtuale, ndërkaq jeta është megjithatë reale. Fundja, historinë e shkruajnë shtetarët; intelektualët vetëm shkruajnë për historinë”.
Edhe pse nga dy partitë opozitare njoftuan se marrëveshje për mbështetjen e Rekës, kumtesat janë të ndryshme. Nga Lëvizja Besa njoftuan se kanë arritur marrëveshje me Aleancën për Shqiptarët për përkrahjen e Rekës, kurse nga partia e Selës thonë se organet e partisë nesër do të marrin vendim përfundimtar.
“Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët përkrahin kandidaturën e Prof. Dr. Blerim Rekës për President të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Si parti opozitare, konsiderojmë se zgjedhjet presidenciale në vend nuk kanë kuptim pa kandidat shqiptar, sepse ndryshe shqiptarët do të reduktoheshin vetëm në votues që japin votën, por jo edhe subjekt për të cilin duhet të votohet”.
“Kryesia e Aleancës për Shqiptarë, ka autorizuar Kryetarin Ziadin Sela të zhvillojë bisedime me partinë Opozitare BESA për gjetjen dhe përkrahjen e një kandidati të përbashkët, që do ta mbështeste dhe përfaqësonte opozitën shqiptare në garën për President të Shtetit. Në kuadër të kësaj është biseduar edhe me profesorin dhe diplomatin Blerim Reka, për të cilin kryetari i partisë Ziadin Sela ditën e nesërme do ta informojë Kryesinë Qendrore dhe organet e partisë për rrjedhën e takimit, dhe detalet lidhur me takimin. Më pas Organet e Partisë do të marrin vendimin përfundimtar”.
Përveç BDI-së, pritet që edhe Alternativa e Afrim Gashit dhe RDK-ja e Vesel Memedit ta përkrahin kandidatin e përbashkët të shumicës. E një bashkim i tillë për opozitën është shenjë e panikës për VMRO DPMNE-në.
“Pushteti po humb dhe është në panik. Kandidati i përbashkët është pasojë e “zaevizmit”. Siç e dini ata shpallën konkurs, e pastaj e harruan dhe tani po e mohojnë. Koha është që të shkatërrohet “zaevizmi”, dhe do të shkatërrohet nëpërmjet zgjedhjeve”.
Siç paralajmëroi Ahmeti mbrëmë, emri i kandidatit do të bëhet publik të premten. Edhe vet ai e konfirmoi se dy kandidatët më serioz janë Oliver Spasovski dhe Nikolla Dimitrov. /tvklan