Itali, 7 shtator 2014 – Një emigrant shqiptar 29 vjeçar humbi jetën natën duke gdhirë dita e dielë pas një sherri pranë një diskoteke në Itali.

Ngjarja ndodhi në periferi të qytetit Arezzo, pranë diskotekës “Karisma Club”, në rrugën “Galvani”, rreth orës 02.30 të së dielës.

Policia lokale tha se i riu shqiptar, Pirro Moca, u përfshi në një konflikt të dhunshëm me të paktën tre shqiptarë të tjerë, ku dy prej tyre, përkatësisht 30 dhe 22 vjeç, mbetën të plagosur pa rrezik për jetën.

Shefi i policisë lokale Francesco Di Costanzo tha se hetimet paraprake nxjerrin se i riu që mbeti i vdekur, ishte viktimë e përpjekjes së tij për të shuar sherrin e nisur.

Pikërisht ndërsa përpiqej të ndante djemtë e përfshirë, mori dy goditje thike në zemër duke pësuar vdekje të shpejtë, pak pasi u dërgua në spitalin San Donato në Arezzo.

Dyshimet janë se një person i katërt, gjithashtu shqiptar, i cili u zhduk nga vendngjarja, të ketë qenë autori i vrasjes së 29 vjeçarit Moca.

Policia tha se ka identifikuar autorin e krimit dhe është vënë në kërkim të tij. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/