Në spitalin “Gemelli” në Romë, gjendet e plagosur nga dëmet e tërmetit të një dite më parë, vogëlushja shqiptare Xhesika Hasani, 7 vjeçe, raporton “Ora News”, e cila ka kontaktuar me spitalin në fjalë.
Pacientë të këtij spitali rezultojnë dhe shtetaset shqiptare Sara Hasani 18 vjeçe dhe Hatixhe Hasanaj 66 vjeçe. Kjo e fundit është regjistruar me emrin Xheku.
Të tre këto shtetase janë transferuar gjatë ditës së djeshme nga spitali i Rietit drejt Romës.
Po në Gemelli kanë marrë kurën mjekësore në repartin e ndihmës së parë e ndodhen nën vëzhgimin e mjekëve, shtetaset Romina Duro e Lori Duro.
Në spitalin e Aquilas u konfirmua se në këtë spital gjendet e shtruar në repartin e Neokirurgjisë një shtetase shqiptare. Konfirmohet se ajo ka një traumë në kokë, por është koshiente e jashtë rrezikut për jetën.
Pas çdo ore që kalon, rëndohet edhe bilanci i viktimave që lanë pas seria e tërmeteve të fuqishme. Sipas zyrtarëve të vendit fqinj, numri i viktimave deri më tani është më tepër se 247, ndërsa 368 janë të plagosur.
Në mesin e viktimave është edhe një shqiptar, Erjon Toro, banues në Amatrice, qyteza që u prek më së shumti nga tërmetet.
Toro u gjet mes rrënojave të një banese të shkatërruar nga tërmeti. Ai ishte i martuar dhe me tre fëmijë të mitur. Toro ishte nga Kurjani i Roskovecit dhe prej vitesh jetonte në Itali.





