Entela Hoxha, është një nga kandidatet e Partisë Socialiste në listat e hapura për qarkun e Durrësit. Me profesion mjeke stomatologe, Hoxha gjatë këtyre viteve ka qënë në shërbim dhe përkushtim të detyrës ndaj paciemtëve.

Ajo ka dhënë dhe jep kontribut në aspektin social në komunitetin, ku jeton. Prej më shumë se një dekade ajo është anëtare e Partisë Socialiste dhe ka dhënë kontributin e saj në këtë forcë politike.

Duke kandiduar për deputete, Hoxha kërkon të vazhdojë të qëndrojë afër dhe t’i shërbejë me profesionalizëm çdo qytetari durrsak.

“Unë deri tani kam mbajtur një profil të ulët në publik. Shumë njerëz, të njohurit e mij apo pacientët më njohin si doktoreshë Entela. Unë kam lindur në Dibër dhe në moshën 12-vjeçare u vendosëm me familjen në Durrës. Në Dibër janë rrënjët e mija, por Durrësi është shtëpia ime, ku unë jetoj, ku punoj, ku kam krijuar miqësinë dhe shoqërinë time. Është një vlerësim shumë i madh që mua më është bërë për të përfaqësuar qytetin e Durrësit në listat e hapura nën siglën e Partisë Socialiste. Në listë ka kandidatë me potencial dhe individë të respektuar dhe jo të gjithë do të fitojnë.

Gjatë këtyre ditëve, pas zyrtarizimit të listave, kam marrë një mbështetje shumë të madhe nga qytetarët e Durrësit. Nëse unë do të zgjidhem nga votat e qytetarëve te qarkut Durrës si deputete, kontributin tim që e kam dhënë përgjatë këtyre viteve në punën time si mjeke stomatologe dua ta jap në një rrafsh më të gjerë. Unë do të jem zëri i të gjithëve. Është një garë shumë e fortë. Kur garën e ke me njerëz apo individë të respektuar dhe të fortë jam shumë kureshtare të shoh se si do shkoj. Unë kam shumë besim”,- thotë Hoxha.

Hoxha deklaron gjithashtu se angazhimi i grave në politikën shqiptare është një nga gjërat më të mira. Sipas saj, gratë kanë treguar se kanë një potencial shumë të madh.

“Jam shumë e bindur që qytetarët e qarkut të Durrësit do ta votojnë maksimalisht Partinë Socialiste. Në listat e mbyllura kemi 3 gra të nderuara dhe 4 të tjera në listat e hapura, që do të thotë shumë. Sa më shumë gra në politikë aq më mirë është për komunitetin”,- thotë kandidatja për deputete në listat e hapura të Partisë Socialiste.