Një nga strukturat më të reja hoteliere në Durrës është Giulia Albergo, një godinë 3 katëshe që ka ruajtur më së miri arkitekturën e ndërtimeve të realizuara përgjatë Rrugës Tregtare në vitet 20-30 të shekullit të kaluar. Gjatë punimeve për restaurimin e hotelit është respektuar deri në detaje forma origjinale e tij, ashtu siç e projektuan arkitektët italianë rreth 87 vite më parë.

Hoteli me 4 yje i shtohet strukturave hoteliere qytetase, që kanë lulëzuar vitet e fundit përgjatë atij që sot njihet Bulevardi “Epidamn”.

I pozicionuar shumë pranë disa prej monumenteve historike më të njohura të qytetit bregdetar, Giulia Albergo është kthyer në një destinacion për shumë turistë të huaj që duan të kombinojnë turizmin kulturor me pushimet në bregdet.

Me 25 dhomat e tij të arreduara në stilin neo klasik, ofertat BB (Bed + Breakfast), afërsinë e tij me qendrën e qytetit dhe detin, Giulia Albergo duket se ka tërhequr vëmendjen e shtetasve të huaj.

Menaxherja e tij, Jona Qefa pranon se javët e para të funksionimit ishin disi të vështira, por rrjetet sociale janë kthyer në një pikë të fortë reklamimi.

“Fillimisht menduam se nuk do të kishim punë, por gjithçka ndryshoi shumë shpejt”,– thotë ajo.

Ndërsa shumë hotele në fillim të këtij sezoni u përballën me vështirësi në gjetjen e stafit të kualifikuar, për shkak të pandemisë së tejzgjatur, ky problem është tejkaluar në Giulia Albergo.

Klientela i përket më shumë turistëve nga vendet e BE dhe ditët e qëndrimit variojnë nga 2-3 ditë e deri në një javë. Kryesisht shtetasit e huaj janë të interesuar të kombinojnë turizmin kulturor me banjot e diellit në bregdet, ndërsa nuk mungojnë dhe biznesmenë të huaj që vijnë për të përmbyllur kontrata apo ndjekur ecurinë e investimit që kanë realizuar në Shqipëri.

Në konkurencë të fortë me hotelet përgjatë vijës bregdetare, strukturat qytetase mbeten zgjedhja e parë për ata turistë apo pushues që nuk janë në kërkim vetëm të banjove të diellit dhe larjes në det.

“Nuk na ka penalizuar fakti që jemi hotel brenda në qytet, pasi duke e pasur detin vetëm 10 minuta larg turistët janë të interesuar të qëndrojnë tek ne”,– thotë menaxherja Qefa.

Pandemia Covid-19, e cila duket se po rigjallërohet këto muaj të shpenguar pushimesh, rrezikon jo pak strukturat hoteliere, të cilët përballen edhe me anulime prenotimesh apo rezervimesh.

“Ne punojmë me booking dhe shohim që janë bërë shumë anulime rezervimesh, kohët e fundit. Kufizimet që po vendosen në disa vende evropiane dhe frika e karantinimit kur të kthehen në atdhe, në disa raste i tremb turistët”,- thotë Qefa.

E ndërsa jemi në muajin me fluksin më të lartë të pushuesve gjatë një sezoni veror, rreziku që mund të sjellë me vete vjeshta apo dimri kërcënon jo pak hotelet e qytetit. Frenimi që pati sektori i turizmit vitin e kaluar, duket se po lihet pas këtë vit. Investimi serioz i realizuar në Giulia Albergo dhe frekuentimi i tij nga shumë shtetas të huaj është dëshmi se pavarësisht dy goditjeve të forta që mori Durrësi nga tërmeti dhe pandemia, qyteti bregdetar vijon të mbetet një destinacion i preferuar për turistët dhe biznesmenët evropianë.

M.B.