Nga Agim Hushi
Shkëlqesisë së tij, Ambasadorit Donald Lu! Si një qytetar, por dhe si një artist shqiptar që jetoj prej gati një çerek shekulli nëpër botë, më lejoni tju falënderoj përzemërsisht për miqësinë dhe ndihmën e jashtëzakonshme që qeveria amerikane i ka dhënë konsolidimit të lirisë dhe stabilizimit të rendit demokratik në Shqipëri! Shqiptarët do t’ju jenë përjetësisht mirënjohës, për ndihmën tuaj konkrete, në kohët më të vështira për ne, sidomos dhe rolin e Amerikës në ruajtjen e pavarësisë dhe formimin e shtetit të Kosovës!
Ndihma dhe assistenca ekonomike, politike dhe e gjithanshme, me përvojen e shtetit më të fuqishëm dhe demokratik në botë, ka qenë dhe mbetet e qenësishme për Shqipërinë e vogël! Është pikërisht kjo që bën flamurin e shenjtë amerikan të valëvitet përkrah atij shqiptar dhe europian, pothuaj në çdo institucion apo familje shqiptare! Gjithashtu gjej rastin Shkëlqesi tju falënderoj përzemërsisht, për angazhimin tuaj personal në një luftë, që sot më shumë se kurrë, ne shqiptarët duhet ta fitojmë: luftën kundër korrupsionit, krimin e ngritur në pushtet dhe pastrimin e drejtësisë nga duart e vetë krimit! Por më lejoni Zoti Ambasador t’ju shpreh në këtë letër të hapur shqetësimin tim të sinqertë. Unë e kuptoj angazhimin tuaj fisnik dhe dëshirën tuaj për të kontribuar me fuqinë e ambasadorit të një vendi të madh mik!
Por ju e dini se ajo që ju po bëni, duke qenë dukshëm mbi të gjithë ambasadorët e tjerë të akredituar në Shqipëri, si vende mike, së pari po lënë përshtypjen e një dashamirësi të madh të shqiptarëve, por kam frikë se edhe te një ndërhyrje në punët e brendshme të një vendi sovran! Por si një mik i pakushtëzuar i vlerave demokratike amerikane, ku fus dhe simpatinë time personale për Presidentin Obama, më lejoni t’ju them me sinqeritet Shkëlqesi se nuk besoj që është në obligimin tuaj si diplomat të ndërhyni në emra kandidatësh apo personash të veçantë, që janë dhe duhet të jenë objekt i organeve të hetimit, gjykimit dhe legjislacionit shqiptar!
Ju Shkëlqesi takoheni pothuaj çdo ditë me zyrtarë dhe politikanë të lartë shqiptarë, të akuzuar për afera korruptive, për vjedhje apo abuzues të pushtetit në Shqipëri, bile edhe për vrasje dhe ju nuk dukeni shumë i shqetësuar. Unë dhe shumica e shqiptarëve besojmë dhe jemi të bindur se dekriminalizimi i politikës shqiptare duhet të fillojë pikërisht nga këto nivele e më pas te kandidatët lokalë për të cilët shqetësoheni edhe ju, me të drejtë. Ju ndoqa zoti Ambasador para zgjedhjeve lokale të qershorit, në ndërhyrjet tuaja dashamirëse dhe u gëzova që ju e ngritët zërin, që partitë politike shqiptare të ndërgjegjësoheshin dhe të pastronin listat e kandidatëve nga emrat e përlyer, jo dinjitozë.
Dhe natyrisht pati përmirësime, bile edhe dorëheqje nga dy partitë e mëdha! Por më lejoni t’ju them se, si qytetar i këtij vendi nuk e çmoj as me vend, as të ligjshëm dhe as etike që pasi të kenë marrë votat e popullit, ju të vazhdoni të shfaqni mosaprovimin tuaj për kandidatët tashmë të zgjedhur, të ligjshëm. Do t’ju isha mirënjohës nëse ju do paraqisnit provat zyrtare për secilin nga ata persona që ju paragjykoni! Për mendimin tim, tashme që kanë mandatin e ligjshëm të votës së popullit, ata duhen përkrahur në punën e tyre, në përmbushjen e premtimeve elektorale nga të gjithë ne. Por dhe duhen përgëzuar për kurajën dhe justifikimin e kandidaturave të tyre para votuesve!
Në fund të fundit demokracinë e bën populli dhe vota e lirë! Ju keni shembuj të panumërt në Amerikë kur persona që dikur kanë qenë kontigjentë të krimit sot janë bërë modele të shoqërisë si gjyqtari Greg Mathis, biznesmeni Shaun Carter e plot të tjerë. Në romanin legjendar të Viktor Hygoit, “Te Mjerët” personazhi i Zhan Val Zhanit, njeriut që fati e bëri vjedhës, u shndërrua pas burgut, në simbolin e njeriut që frymëzoi humanizëm dhe vlera unike humane! Ndërkohë që oficeri i policisë, që e përndoqi gjithë jetën, Zhaveri, dështoi me skepticizmin e tij mitik! Natyrisht e kuptoj idealin tuaj Shkëlqesi për t’i shpallur luftë pa kompromis krimit në politikën shqiptare; që të ndërtojmë një shtet me vlera demokratike.
Do ta konsideroja një kontribut të çmuar tuajin, nëse më lejohet t’jua propozoja të organizonit më shumë simpoziume apo takime me njerëzit për ndërgjegjësimin e votës së shqiptarëve, sidomos në këto momente kur drejtësia dhe partitë politike janë në fazat e një klizme masive morale që duhet edhe ligjëruar! Në Shqipëri, më shumë se opinioni, duhet te funksionojë Ligji dhe Fakti. Përndryshe do mbetemi në vorbullat e luftës me vehten. Më duhet t’ua permend Shkelqesi se ne si komb jemi humanistë dhe na dhemb akoma përndjekja e njerëzve, qe e kemi vuajtur për gjysmë shekulli në diktaturën enveriste!
Si çdo shqiptar edhe unë do të doja ta shihja parlamentin shqiptar me figura të denja, të shquara. Por më gjithë këtë pyes veten: kush jemi ne t’i paragjykojmë, apo t’i heqim të drejtën të ofrojnë kontributin për shoqërinë gjithkujt, që ka të drejtat dhe siguritë ligjore! Mendova t’jua shkruaj këte letër të hapur që edhe shqiptarët ta dinë pozicionin tuaj dashamirës dhe t’u jenë mirënjohës për gjithçka po bëni për të mirën e Shqipërisë! Dëshiroj sinqerisht të mos keqkuptoheni siç po ndodh në qarqe dhe interesa të caktuara politike ku shumë politikanë ju referohen apo dhe të keqpërdoret ndërhyrja juaj në çështje kaq delikate siç është kjo e verdiktit popullor, gjë që mund të sillte tronditje sociale dhe politike. Shoqërisë shqiptare i duhet të ngrihet vetë moralisht dhe klasa politike të bëhet zëdhënëse e vlerave të saj më të mira! Në të kundërt politika do ta kthej shoqërinë në pjesë të lojës së saj dhe për këtë përgjegjësia u bie vetëm vetë shqiptarëve!
*Autori është tenor i njohur shqiptar që jeton në Vjenë.
18 shtator 2015, marrë nga “Shekulli”