Pas kompletimit të stafit teknik, skuadra e Teutës tashmë po mendon edhe për të forcuar ekipin. Ditën e sotme te durrsakët është afruar një sulmues. Bëhet fjalë për Jasmin Rraboshtën, i cili sezonin e fundit ishte pjesë e Kastriotit.

Sulmuesi shkodran është dalluar gjithmonë në Kategorinë e Parë dhe jo vetëm, teksa më parë ka qenë pjesë edhe e skuadrave elitare në Superiore si Elbasani dhe Luftëtari. Ai shihet si një përforcim i nevojshëm për skuadrën e Teutës, pasi është një lojtar vërtet punëtor dhe njohës mjaft i mirë i portës. Me këtë lëvizje, drejtuesit e durrsakëve kanë hapur edhe merkaton verore.

Bregdetarët duket sikur po lëvizin në merkato për të plotësuar ekipin, “djemtë e detit” po vëzhgojnë dhe futbollistë të tjerë, madje dhe janë në kontakte. Ndërhyrje pritet të ketë në tri repartet duke filluar nga mbrojtja, mesfusha dhe sulmi. Largimet e disa lojtarëve pas përfundimit të kontratave ka bërë që drejtuesit të shikojnë alternativa për t’i zëvendësuar, por jo vetëm kaq ata duan dhe të përforcojnë ekipin për Europa League, në mënyrë që skuadra të paraqitet sa më mirë në këtë kompeticion. Edhe pse ka zëra të ndryshëm për afrime, klubi nuk ka bërët publikë emra, duke menduar që pasi t’i kenë afruar apo të kenë diçka konkrete të bëhen të ditur.