HONG KONG, 9 prill 2013- Një tas i kuq ka thyer rekord botëror në ankandin me qeramikë kineze, duke u shitur për 9,5 milionë dollarë në një ankand të organizuar nga shtëpia e ankandeve “Sotheby”.

Për pesë ditë në këtë ankand janë nxjerrë në shitje stoli, qeramika e relikte tjera aziatike e kineze.

Tasi i njohur si “falangcai”, i cili i takon periudhës së Kangxit (viteve 1662- 1722), është shitur për 140 herë më shumë sesa çmimi për të cilin ishte blerë tre dekada më parë.

Në ankandin ku u vënë në dispozicion 57 pjesë qeramike, kanë marrë pjesë më shumë se 400 konsumatorë, ndërkohë që ofertuesit janë lajmëruar edhe nëpërmjet telefonit.

Në fund, tasi i është shitur koleksionuesit të qeramikave, William Chak nga Hong Kongu. 

“Është e natyrshme se në tregun e madh ka shumë pjesëmarrës nga vende të shumta. Por në aspektin e sasisë, një numër i madh i artit kinez po tregtohet drejt kontinentit ku i ka takuar”, ka thënë Nicolas Chow, një nga udhëheqësit e “Sotheby”.

Tasi i kuq me dizajne ngjyrë rozë dhe të kaltër, për herë të parë u nxor në ankand nga “Sotheby” më 1983.