POGRADEC, 11 shkurt 2013 – Shkonin të bënin tatuazhe, mjeshtri i përdhunon. Historia e cila e ka zanafillën ditë më parë, ka marrë një tjetër drejtim ditën e djeshme, pasi është bërë i mundur dhe arrestimi i 41-vjeçarit. Andon Sallo, banues në Petrushe të Pogradecit është ndaluar nga policia, pasi akuzohet se ka abuzuar seksualisht me dy vajza 16-vjeçare, ndërsa dyshohet edhe për abuzime me vajza të tjera të reja.
Mësohet se 41-vjeçari kishte marrë një ambient me qëra në lagjen Nr 1., në Pogradec, në të cilën u bënte tatuazhe qytetarëve. Në 4 shkurt të këtij viti, dyshohet se një 16-vjeçare me iniciale J.J, kishte shkuar për një tatu, por ka rënë pre e abuzimit seksual të 41-vjeçarit.
Adoleshentja nuk ka bërë denoncim, por policia në rrugë operative është informuar për abuzimet e Andon Sallos, i cili në datën 6 shkurt të këtij viti, tentoi të përdhunonte një tjetër 16-vjeçare, me iniciale A.D.,banuese në fshatin Remenj të Pogradecit.
Uniformat blu dyshojnë se 41-vjeçari ka abuzuar dhe me vajza të tjera, ndërsa po punohet për të gjithë dokumentin e të gjithë rasteve.





