Autoritetet e Mianmarit kanë arrestuar një astrolog që shkaktoi panik duke parashikuar një tërmet të ri në një video virale të TikTok. John Moe The postoi parashikimin e tij më 9 prill, vetëm dy javë pasi një tërmet me magnitudë 7.7 vrau 3500 njerëz dhe shkatërroi tempuj shekullorë në vendin e Azisë Juglindore. Ai u arrestua të martën për “deklarata të rreme me qëllim të shkaktimit të panikut publik”, tha ministria e informacionit e Mianmarit.
John Moe The kishte paralajmëruar se një tërmet “do të godiste çdo qytet në Mianmar” më 21 prill. Por ekspertët thonë se tërmetet është e pamundur të parashikohen për shkak të kompleksitetit të faktorëve të përfshirë në fatkeqësi të tilla. Në videon e tij, e cila mori më shumë se tre milionë shikime, John Moe The u bëri thirrje njerëzve që “të merrnin gjëra të rëndësishme me vete dhe të ikin nga ndërtesat gjatë lëkundjeve”.
Një banore e Yangon tha për AFP se shumë nga fqinjët e saj besonin në parashikimin e tij. Ata refuzuan të qëndronin në shtëpitë e tyre dhe fushuan jashtë ditës kur John Moe The tha se tërmeti do të ndodhte. Llogaria e tij tashmë e zhdukur në TikTok, e cila ka më shumë se 300,000 ndjekës, pretendon të bëjë parashikime të bazuara në astrologji dhe palmistikë.
Ai u arrestua gjatë një bastisjeje në shtëpinë e tij në Sagaing, në qendër të Mianmarit. Zonat e Mandalay dhe Sagaing u goditën veçanërisht rëndë nga tërmeti i 28 marsit, i cili shkaktoi një kërkesë të rrallë nga junta e Mianmarit për ndihmë të huaj. Ai tërmet u ndje rreth 1000 km larg në Bangkok, ku një ndërtesë u shemb në një kantier ndërtimi, duke vrarë dhjetëra.