Eksperti i tërmetit në Turqi dr.Naci Görür ka parashikuar një tërmet me magnitudë 7.2 të shkallës Rihter, që do të trondisë detin Marmara, raportojnë mediet turke.  I njëjti profesor e parashikoi tre muaj përpara tërmetin, që goditi më 24 janar pjesën lindore të Turqisë.

Kësaj here, eksperti ka postuar në rrjetet e tij sociale se vendi do të goditet nga një tjetër tërmet më i fortë, i cili do të ndjehet shumë thuajse në të gjithë vendin. Megjithatë nuk e ka bërë të ditur një datë se kur do të ndodhë fenomeni. 

“Me tërmetet në Gölcük dhe Düzce, korja nën Marmara është e mbingarkuar. Tërmeti në Marmara mund të jetë rreth Kumburgaz dhe pritet të ketë magnitudë 7.2 të shkallës Rihter”, shkruan eksperti Naci Görür.

Para tij edhe eksperti Engin Er, president i Dhomës së Inxhinierëve Gjeologë në Turqi deklaroi se një tërmet me magnitudë 7.5 të shkallës Rihter mund të godasë në Silivri, pranë detit Marmara. Sipas presidentit Engin Er, lëkundja mendohet se do të jetë shumë e fortë, duke shkaktuar lëkundje të ndjeshme edhe në shtetet si Austria dhe Italia.