Lajpcig është klubi i radhës që i është shtuar listës së gjatë të ekipeve që e duan shërbimet e Milot Rashicën Futbollisti i Kosovës është shtylla e skuadrës së Verder Bremenit, por dëshiron të ndërrojë skuadër.

Menaxheri i tij, Altin Lala, ka folur disa herë për largimin e tij, por tashmë ka dalë në skenë një tjetër klub, përveç atyre në Angli dhe Itali. Lajpcig është i interesuar për shërbimet e sulmuesit 23 vjeçar, pas Dortmundit dhe Aston Vilës që janë dy skuadrat për të cilat raportohet se e duan më së shumti Rashicën.

“Prej asaj që ka mësuar Weser-Kurier nga burime të sigurta në klubin e Verderit, Rashica tani përballet me një kalim milionësh te Lajpcig. Diskutimet në mes të atyre që vendosin te Lajpcigu dhe menaxhmentit të lojtarit janë të avancuara, sa që një njoftim zyrtar për këtë transferim mund të pritet që në këtë muaj”, ka raportuar gazeta gjermane, Wesser Kurier.

Miloti e njeh shumë mirë Bundesligën, kësisoj nuk përjashtohet mundësia që të ndërrojë skuadër, por jo ligë.