Një tjetër mësues ka ndërruar jetë nga COVID-19. Ai eshte Ylli Xhaferri, nga Rrogozhina, i njohur si mësues letërsie dhe poet. 67-vjeçari prej 10 ditësh trajtohej në shtëpi, teksa mësohet se sot ka ndërruar jetë në spitalin ”Shefqet Ndroqi”.
Kjo është një tjetër humbje nga radhët e arsimit, pasi vetëm 3 ditë më parë një tjetër mësues, kësaj radhe në Gramsh ndërroi jetë nga COVID-19 teksa dhjetëra të tjerë janë infektuar në Shqipëri.
Lajmi bëhet i ditur nga vetë stafi i gjimnazit “Haxhi Qehaj”, të cilët kanë përcjellë mesazhe ngushëllimi në rrjetet sociale.
“Ylli Xhaferri ishte për ne kolegu, intelektuali, drejtuesi, poeti, prozatori, qytetari dhe miku që me altruizmin e tij ishte i kudogjendur!
Ai ishte njeriu që karakterizohej nga pasioni për letërsinë, artin, arkitekturën dhe historikun e qytetit tonë!
Një njeri me humor dhe pozitivitet, i gatshëm të ndihmonte çdo mësues të ri që të ndihej plot vetëbesim dhe pjesë e rëndësishme e institucionit.
Largimi i tij i parakohshëm ishte një humbje për miqtë dhe të njohurit!
Të qoftë dheu i lehtë poet!
Ngushëllimet më të sinqerta familjes, kolegëve dhe të afërmve të tij!”, shkruhet në mesazhin e përcjellë nga vetë shkolla.





