Ndërsa dhe pak ditë na ndajnë nga zbardhja e emrave të kandidatëve me të cilët partitë politike do të garojnë për të fituar votën e shqiptarëve më 25 prill, LSI-ja e Durrësit forcon radhët.
E goditur fort nga largimi prej saj i themeluesit të degës Lefter Koka dhe kalimit të tij në radhët e PS-së, në këto muajt e fundit dega lokale e LSI-së po tenton rimëkëmbjen dhe pse jo edhe përsëritjen e rezultatit të zgjedhjeve të kaluara.
Pas angazhimit që nga fundi i vitit të kaluar i Bahri Shaqirit, ish-këshilltar i Presidentit të Republikës, ditët e fundit në Durrës është shfaqur një tjetër njeri i Metës.
Shemsi Premçi, këshilltar i kreut të shtetit që nga viti 2019, dha dorëheqjen më 16 shkurt nga posti. Ish-drejtori i përgjithshëm i Emergjencave Civile nuk ka humbur kohë dhe ka zbarkuar në Durrës.
Ka qenë vetë dega lokale e LSI-së që ka publikuar foto nga takimet e Prençit në Durrës dhe angazhimin e tij pranë strukturave partiake.
Mesa duket, “tradhtinë” e Kokës ndaj tij, Meta e zëvendësuar fillimisht me Elona Gurin, njeri i afërt i Kryemadhit e Metës, më pas me ish-këshilltarin për Çështjet e Sigurisë Kombëtare, Bahri Shaqiri dhe tani me Prençin.
Në takimin elektoral, Shemsi Prençi shprehet se “25 prilli do jetë uragani i ndryshimit. Fitorja më e madhe e 30 viteve të fundit. Dita kur do shembet e shkërmoqet totalisht regjimi korruptiv dhe diktatorial i “Rilindjes.””
25 prilli pritet të jetë vërtet vendimtar për partinë e Kryemadhit në Durrës për të kuptuar nëse votat e mandateve të kaluara ishin personale të deputetit Lefter Koka, apo, pavarësisht viteve në opozitë dhe shpërbërjes së degës, LSI-ja në qytetin bregdetar ka një elektorat kompakt.
25 prilli do jetë uragani i ndryshimit. Fitorja më e madhe e 30 viteve të fundit. Dita kur do shembet e shkërmoqet…
Posted by Lëvizja Socialiste për Integrim -Durrës on Wednesday, March 3, 2021





