Pas vdekjes tragjike të turistit rus i cili u godit nga një skaf në Himarë, një tjetër turist i huaj është plagosur sot në plazhin e Velipojës.

Sipas policisë, turisti i huaj është rrëzuar aksidentalisht teksa bënte xhiro me një motor uji. Mësohet se turisti 27-vjeçar ka dëmtuar kokën dhe është dërguar menjëherë në spital, prej ku mësohet se është jashtë rrezikut për jetën.

Një ditë më parë në Himarë humbi jetën një turist rus, i cili u përplas në det nga një skaf. Shërbimet e Policisë kanë bërë arrestimin e Fatmir Kuçit, pasi ditën e djeshme rreth orës 11:00 në zonën bregdetare të quajtur “Livadh” në Himarë, ky shtetas duke drejtuar mjetin lundrues tip skaf-plastik me mbishkrimin “Black Arroë”, dyshohet se ka dëmtuar aksidentalisht shtetasin Rus D.K., i cili ka gjetur vdekjen për shkak të plagëve të marra, në spitalin e Himarës.

Denis Kaiumov, 43 vjeç, banues në Saint Petersburg, Rusi mbeti i plagosur paraditen e djeshme ndërsa notonte rreth 50 metër nga bregu i Livadhit, ku kishte shkuar me pushime nën shoqërinë e bashkëshortes dhe vajzës së tij. Dyshohet se mjeti ujor i ka kaluar sipër pushuesit i cili po lahej në det, duke i shkaktuar prerje të mëdha në trup dhe humbjen e njërës gjymtyrë. Ai është dërguar menjëherë në spital, por nuk mundi të mbijetojë.

Pas aksidentit horror, mjeti që e ka goditur është larguar nga vendngjarja dhe vetëm sot është bërë i mundur arrestimi i drejtuesit të tij.