Trageti Rigel VII i kompanisë Ventouris Ferries ka mbërritur ditën e sotme për herë të parë në portin e Durrësit. Ashtu siç është edhe tradita detare, për tragetin e ri dhe modern ishte rezervuar ceremonia “Maiden Call” nga autoritetet portuale. Kapitenit të mjetit lundrues iu dorëzua një pllakë mirëseardhjeje nga Kapiteneria e portit të Durrësit, në shenjë kujtimi për ndalesën e parë të bërë në portin më të madh të vendit.
Futja e një trageti të ri, të rikonstruktuar totalisht dhe me kapacitet prej 500 shtretërish, 150 poltronash luksoze dhe 85 kamionësh, synon përmirësimin e kushteve të udhëtimit për rreth 1500 pasagjerë që pritet të udhëtojnë në linjën Durrës-Bari dhe anasjelltas pas lehtësimit të masave shtrënguese në kuadër të pandemisë Covid-19.
Administratorja e kompanisë Duni Port Agency, Pamela Bardhaj, deklaron se trageti i ri modern “Rigel VII” nis lundrimin në një periudhë të pazakontë, kur lëvizja e pasagjerëve është pezulluar, por ajo shprehet e sigurt se me rinisjen e transportit të udhëtarëve, pasagjerëve do t’u ofrohen kushte mjaft komode për një lundrim të qetë dhe të sigurt.
“Prej 21 vitesh ne ofrojmë shërbim të vazhdueshëm dhe të pandërprerë për pasagjerët dhe firmat e transportit që zgjedhin të udhëtojnë me ne. Në këtë kohë kufizimesh dhe sfidash, kompania jonë jo vetëm vazhdon linjën duke qenë garanci për transportin detar ndërkombëtar në vendin tonë, por vendosi të fusë në linjë tragetin e ri Rigel VII, që rrit kapacitetin dhe bën të mundur transportimin e mbi 85 kamionave në natë”,- tha Bardhaj.
Trageti Rigel VII i është nënshtruar një rikonstruksioni të plotë prej më shumë se një viti në Greqi dhe siç bën të ditur Bardhaj vjen me ambientet e brendshme tërësisht të rinovuara, ku mund të veçohen baret, kabinat apo restorantet. Një rëndësi e veçantë u është kushtuar rinovimit të pajisjeve teknologjike dhe atyre të sigurisë për të garantuar një udhëtim të qetë, të shpejtë dhe mjaft komod.
Ndërsa qeveria po merr në konsideratë hapjen e kufijve, administratorja e kompanisë Duni Port Agency thekson se ata kanë marrë të gjitha masat e kërkuara nga protokollet përkatëse të hartuara nga autoritetet shëndetësore dhe janë gati në momentin kur lëvizja e pasagjerëve me traget do të rinisë.
“Kompania jonë zbaton me korrektësi të gjitha masat e parashikuara në protokoll për dezinfektimin vazhdueshëm të ambienteve, pajisjen e stafit me maska dhe doreza, akomodimin e vetëm një shoferi në dhomë etj. Ne jemi gati për rinisjen e udhëtimit të pasagjerëve dhe njëkohësisht po presim protokollet shtesë që do të hartojnë autoritetet shëndetësore për garantimin e shëndetit të udhëtarëve”,- tha Bardhaj.
M.B.





