Një mjet i ri lundrues i shtohet flotës së trageteve që lidhin portin e Durrësit me portet e vendit fqinjë, Itali.

Trageti Rigel V, i kompanisë Venturies Ferries u prezantua sot para autoriteteve portuale shqiptare dhe me këtë rast u organizua edhe ceremonia e mirëseardhjes, ku kreu i Autoritetit Portual Durrës, Kreshnik Bajraktari i dorëzoi kapitenit pllakën “Maiden Call”, që nënkupton datën e mbërritjes për herë të parë në port.  

Rigel V nis lundrimet në linjën Durrës – Bari dhe anasjelltas pas një rinovimi tërësor.

“Është një traget i ri, i rindërtuar nga e para me teknologjimë e vitit 2024-2025.. me kapacitetet e këtij trageti ndryshojmë komplet faqen e udhëtimeve Durrës-Bari”,– tha ndër të tjera kapiteni i portit, Tauland Allka,

Shtimi i një tjetër trageti në linjën detare që lidh Durrësin me Barin do t’i vijë mjaft në ndihmë përballimit me sukses të fluksit të pasagjerëve dhe mjeteve të rënda, kryesisht gjatë sezonit veror, kur shtohen ndjeshëm lëvizjet mes dy brigjeve.

“Gjatë përiudhës verore kemi fluks të shtuar të pasagjerëve, gjë që shkakton penalizimin e transportit të kamionëve dhe autobusëve, sepse u jepet prioritet pasagjërëve dhe mjeteve të tyre. Ky traget ka mundësi që të nxërë 180 trajlera dhe autobusë, prandaj me shpejtësinë që ka dhe kapacitetet që ka mund të hyjë në linjë dopio corsa për të plotësuar nevojat e transportit të mjeteve të rënda.”,- tha Allka për “DurrësLajm”.

Gjatë periudhës janar-dhjetor 2024, tragetet që lundrojnë nga Durrësi drejt porteve italiane kanë kryer 996 lundrime, duke transportuar mbi 774 mijë udhëtarë dhe rreth 286 mijë automjete.
Referuar të dhënave të APD-së, krahasuar me vitin 2023, sektori i pasagjerëve ka pësuar rënie me afro 6% udhëtarë më pak.
 
Gjatë vitit 2024, në Terminalin e Trageteve janë përpunuar 179 mijë autovetura si dhe mbi 106 mijë kamionë dhe trajlerë.  

M.B.