Kryetarja e komisionit të Medias Flutura Açka është bërë sot pjesë e debatit të grupit parlamentar demokrat, pasi shumica e deputetëve kërkojnë ta shkarkojnë nga kjo detyrë, me argumentin se ajo nuk po bën opozitë.
“Ata që e kanë kërkuar kanë kohë që e vuajnë vendin tim. Por e dinë edhe vetë, nuk kanë bërë opozitë më shumë se unë. Në kemi një matës për performancën tonë politike: shqiptarët. Ata gjykojnë më drejt se një tufë interesaxhinjsh pa moral”, u shpreh ajo.
Në mbledhjen e kësaj të mërkure në Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike shumica e deputetëve kanë kërkuar që Flutura Açka, e cila mban pozicionin e kryetares së Komisionit të Medias të shkarkohet nga kjo detyrë, pasi sipas tyre “përveç se nuk po bën opozitë, po pengon dhe punën e opozitës”.
Sipas tyre Açka nuk mund të jetë më në këtë pozicion, pasi nuk po e ushtron si duhet dhe nuk po mbron interesat e opozitës dhe kanë kërkuar nga kryetari i grupit që të marrë masa.
Gazment Bardhi ka kërkuar prej deputetëve mirëkuptim, duke thënë se nuk do merret asnjë vendim lidhur me këtë kërkesë pasi jepet mesazh i gabuar. Sipas tij duhet që të punohet për bashkim dhe jo për përçarje mes demokratëve.