Një turist u vra dhe një tjetër u plagos nga një sulm peshkaqeni në resortin “Marsa Alam” të Egjiptit, tha ministria e mjedisit në një deklaratë ditën e djeshme, pa dhënë kombësitë e personave të përfshirë.
Prania e peshkaqenëve në Detin e Kuq është e njohur, por takimet me ta janë relativisht të rralla. Ministria tha se sulmi ndodhi në ujë të thellë jashtë zonës së caktuar të notit pranë bankinave në veri të Marsa Alam.
Marsa Alam është një qytet bregdetar egjiptian i njohur për shkëmbinjtë koralorë, jetën detare dhe plazhet.
Incidenti i fundit i ngjashëm ishte në qershor 2023 kur një peshkaqen tigër vrau një shtetas rus në Hurghada, një qytet tjetër bregdetar në Detin e Kuq në veri të Marsa Alam.
Muajin e kaluar një varkë turistësh u përmbys në të njëjtën zonë, duke lënë katër të vdekur dhe shtatë të zhdukur.