Nga Luan Kurti
Historiani i fundit turk që mbërriti në Shqipëri na e quajti heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastriotin (Skënderbeun), kaçak, vrasës, bukëshkelur. Dhe faqazi, ditën për diell, mu midis konakut në Lezhë. As më shumë e as më pak, kjo quhet përdhosje e eshtrave dhe traditës së mikpritjes. Bashkia Lezhë e shpalli të padëshirueshëm, pasi “këndesi me gjysmëhënë” fluturoi në Anadoll. Dhe e gjeti justifikimin, se historiani i vendit tjetër kishte folur turqisht dhe jo anglisht, prandaj kishte ndodhur ky moment hutimi. Dhe turma e gjorë duartrokiste! Por kjo që ndodhi nuk është as e re, as e padëgjuar. Ca kohë më parë zyrtarisht nga pala turke u kërkua “vëllazërisht” të rishikohej historia. Turqit nuk duheshin konsideruar si pushtues 500-vjeçarë, por si bashkëjetues që fati na i pruri në derë dhe me të cilët ja kemi kaluar paq. Madje në gjithë perandorinë, shqiptarët kanë qenë më të privilegjuarit (!)… Dhe nën këtë frymë ka pasur edhe vizita, “sajdisje” deri në nivel kryeministri. Erdogan, mu midis mexhlisit në Kosovë, më saktë në Prizren, në prani të dy kryeministrave shqiptarë, tha se ndihej si në shtëpi të tij, deri në anatemën se “Kosova është Turqi”.
Ca më pas kërkoi falje, se kishte ndodhur pa të keq, për shkak të entuziazmit të madh. Dhe për të mos lënë akord heshtjeje, kanë vërshuar sot e kësaj dite telenovelat turke. Dhe sidomos ato të kohës së sulltanatit kanë kapur majat e audiencës. Ku del në shesh fytyra njerëzore e sulltanëve, luajaliteti me vasalët e krahinave apo territoreve të pushtuara, jeta brenda një trendi normal zhvillimi. Dhe paraqiten më tepër si ashik sesa si luftëtarë, me ca thashetheme apo intriga të vogla grash haremi, që nuk është se jua ulin kaq vlerën. Ky mund të quhet pushtim i butë, pushtim i dytë në kohët moderne. Por se mos vetëm turqit. Kemi telenovela edhe indiane, edhe arabe, edhe… Por këngët që janë një kokteil jo vetëm ballkanik, por mbarëbotëror. Radiot çelen me këto muzika, promovojnë gjuhë, kulturë, të popujve të tjerë, por vetëm shqiptare, jo! E kanë abandonuar këtë të fundit në mënyrë të frikshme. Dhe askush nuk ndërhyn që t’i ndalë! “Tregu i lirë, konkurrenca, janë shijet e dëgjues-shikuesit ato që përcaktojnë trendin!”, do na përgjigjen ca “mendjehapur”. Por njësoj janë sjellë edhe grekët me ne, madje shumë më zi. Nuk lënë rast pa krijuar incidente. Më i famshmi qe ai i Kosinës në Përmet, ku nxorën nga varri kundrejt pagesës ca skelete fshatarësh autokton qindravjeçarë dhe i ambalazhuan si ushtarë të luftës së parë botërore.
Donin të na bombardonin, të na nëmnin me të vdekurit tanë, të cilët “i thirrën ushtarë nën armë” kur jua lypi nevoja! Sakrilegj që ja kalon edhe “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur” të Kadaresë. Dhe skandalet e tyre diplomatike nuk kanë të sosur. Më i fundit qe rasti i rrahjes së këshilltarëve himarjot, ku Ministria e Jashtme helene, paraqiti një notë, që i kërkonte homologes në Tiranë të bënin kujdes me respektimin e të drejtave të minoritetit grek (!)
Por të kthehemi te Skënderbeu, i cili u bë shkas për këtë shkrim. Edhe më herët ka ndodhur që është thënë se ka origjinë greke, serbe, ose së paku njëri prej prindërve nuk ka qenë shqiptar, dhe busti i heroit është gjendur në udhëkryqe rrugësh, mbeturinash i bastarduar. Dhe ngjarje të tilla kanë mbetur pa autor. Por jo vetëm fqinjët ballkanikë e kanë përgojuar “kalorësin e krishterimit”, por edhe nga tanët. Dhe kur të shan i yti, s’ka kandar që ta mbajë! Në emër të çmitizimit e kanë quajtur aventurier, një xhuxhmaxhuxh që më shumë i solli dëme vendit të tij sesa të mira; një figurë që nuk mund të përfaqësojë vlerat më të mira të kombit.
Kanë sjellë për argumente, enciklopedi, apo studime të aksh autorëve, që mbështesin tezat e tyre! Natyrisht ato që s’i mbështesnin i kanë quajtur falsitete, një hyjnizim popullor, ku “i forti”, “cubi” shihet si kreshnik. Dhe për hir të së vërtetës nuk ka qenë i vetmi, janë sharë edhe plot figura të tjera, me tregues rendor. Historiani turk në fjalë u shpall i padëshiruar, kurse “të dëshiruarve tanë elitarë” vazhdon të mos ju hyjë gjemb në këmbë. Nuk është herezi, mungesë lirie, ksenofobi, që të mos lejosh të nëpërkëmben disa vlera kombëtare, disa mite, disa pika referimi. E kundërta është e vërtetë! Minimalisht papërgjegjshmëria, mllefi, egocentrizmi-(Zot ruajna nga shërbëtorët e djallit!), nuk mund të lejohen të shfaqen më në publik! Kjo që ndodhi duhet të na bëhet mësim për t’i kushtuar më tepër rëndësi gjuhës, kulturës, artit, historisë; evidentimit dhe sanksionimit të vlerave dhe traditave tona. Maqedonasit i kanë mbushur sheshet me statujat e historisë së falsifikuar, kurse ne dhe ato pak që kemi kërkojmë t’i denatyrojmë. Ripërtëritja e shpirtit të kombit, e ndjenjës atdhetare, patriotike është detyrë imediate dhe sidomos në kurrikulat e fëmijëve në shkolla. Kjo kërkon përkushtim, investime dhe syçeltësi. “Nuk na u prish gjiza” se na shau një turk, një “sivëlla”, por duhet të nxjerrim mësime për situatat që vetë i krijojmë, sa nga papërgjegjshmëria dhe kozmopolitizmi ynë pa sens.
Marrë nga gazeta “Sot”





