Anija shkollë e marinës italiane “Amerigo Vespucci”, e konsideruar si veliera më e bukur në botë preku portin e Durrësit pasditen e së dielës.

Anija 100 metra e gjatë, e prodhuar në vitin 1931 në kantieret e Castellammare di Stabia, në Napoli është një nga xhevahiret më të çmuar të marinës së vendit fqinjë.

Një vizitë në bordin e saj ngjan me një kthim pas në kohën e eksploratorëve të famshëm italianë Kristofor Kolombi dhe Amerigo Vespucci.

“Kemi përshkruar qindra mijëra milje detare, i kemi rënë 40 herë rrotull botës. Të jesh në bordin e anijes është njësoj si një udhëtim prapa në kohë, të kthehesh në vitet e lundërtarëve të famshëm që përshkonin gjithë detrat e kësaj bote. Të udhëtosh me këtë anije është një eksperiencë unike dhe e paharrueshme. Prej 90 vitesh, ajo është dëshmitare e kulturës italiane në të gjithë botën”, na thotë navigatori Federico Messini.

Anija “Amerigo Vespucci” ka pasur binjaken e saj “Cristoforo Colombo”, e prodhuar në vitin 1928 dhe pjesëmarrëse në luftën e dytë Botërore. Pas përfundimit të luftës, anija iu dha Bashkimit Sovjetik, meqë Italia ishte në anën e humbësve dhe më pas ajo u shkatërrua.

Me 240 anëtarë të ekuipazhit dhe 160 studentë nga akademia e Livornos në bordin e saj, veliera 90-vjeçare “Amerigo Vespucci” hap të hënën dhe të martën dyert për të gjithë qytetarët që duan ta shohin nga afër.

17.10.2022, ora 10:00-12:00 & 14:00- 19:00;
18.10.2022, ora 16:00-21:00.

Arsyen e ardhjes në Durrës na e shpjegon kapiteni i saj, Luigi Romagnoli.

“Janë lidhjet e forta mes dy vendeve tona, Italisë dhe Shqipërisë, por edhe ato mes marinës italiane dhe tuajës. Mund ta konsiderojmë një takim këtë vizitë, por njëkohësisht marina jonë ushtarake demostron praninë e saj këtu, në vendin tuaj”,– thotë Romagnoli.

Me dy anije të njohura në të gjithë botën si libraria e famshme “Logos Hope” dhe “Americo Vespucci” porti më i madh në vend ka qenë përgjatë këtyre ditëve një destinacion mjaft i preferuar nga qytetarët durrsakë dhe jo vetëm.  

M.B.