DURRËS, 19 shkurt 2015 –  Raporti Botëror i përbashkët i Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe UNICEF-it mbi “Parandalimin e lëndimeve te fëmijët” thotë:

“Të gjithë ne dëshirojmë që fëmijët tanë të jenë të sigurt. Ende më shumë se 830 000 fëmijë vdesin çdo vit, pa qenë e nevojshme, nga lëndime dhe aksidente që mund të parandaloheshin”.

Çfarë duhet bërë në këto kushte? Për këtë qëllim është hartuar nga ISO (Organizata Ndërkombëtare për Standardizim) dhe IEC (Komisioni Ndërkombëtar i Elektroteknikës) një “Udhëzues i ri ndërkombëtar”, njofton Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit.

Aksidentet rrugore, rrëzimet, djegiet dhe mbytjet janë disa nga rastet tipike të lëndimeve fatale tek fëmijët dhe ndërsa lodrat e fëmijëve dhe produkte të tjera janë burim potencial rreziku, ekzistojnë edhe shumë rreziqe të fshehura në produkte apo situata jo të destinuara posaçërisht për ata.

“Udhëzuesi i rishikuar ISO / IEC 50:2014, Aspektet e sigurisë – Udhëzime për sigurinë sipas standardeve dhe specifikime të tjera” trajton sigurinë e fëmijëve kudo, duke dhënë udhëzime për hartuesit e standardeve, përmes përshkrimit të një liste të zgjeruar me rreziqet që fëmijët mund të ndeshin dhe propozon strategji për ti evituar (shmangur) ato. Udhëzuesi zbatohet për standardet që lidhen me çdo gjë, me të cilën një fëmijë mund të ndeshet, të tilla si produkte të të gjitha llojeve, paketimeve, strukturave, instalimeve dhe mjediseve në ndërtim.

“Udhëzuesi ISO/IEC 50” përshkruan gjithashtu karakteristika specifike të fëmijëve, të cilat i bëjnë më të ekspozuar kundrejt rreziqeve, duke marrë në konsideratë fazat e ndryshme të zhvillimit të tyre dhe mënyrat se si ata ndërveprojnë me produktet dhe mjedisin.

Ky udhëzues nuk shërben vetëm për hartuesit e standardeve, pasi edhe agjencitë shtetërore, shoqatat e prodhuesve dhe konsumatorit mund ta gjejnë veten e tyre.

/Përg. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/