Violinisti i mirënjohur Florian Vlashi do të jetë të djelën protagonist, së bashku me violonçelisten Ruslana Prokopenko, në koncertin që organizohet në Madrid në kuadër të ciklit “Muzikë për Mijëvjeçarin e Tretë”.
Vepra violinistike “Ju duk se panë të flinte në të një shenjë” të cilën kompozitori Hugo Gomez-Chao Porta ia ka kushtuar violinistit shqiptar do të jetë premierë botërore në koncertin e 14 tetorit në kryeqytetin spanjoll.Kompozitori Porta shkruan mbi pjesën se “ashtu si në një lëvizje me kamera të ngadaltë, apo një kokë që kthehet ngadalë për të parë në anën tjetër; kështu edhe kjo vepër e vogël përbën një lëvizje të vetme, të qetë dhe të vazhdueshme ndërmjet dy telave të violinës me tinguj që largohen pak nga njeri tjetri dhe , në këtë rrugë distancimi, gjejnë pikat e tyre të takimit, gjejnë ndalesat e tyre. Si të ishte një dritë që ndizej pak nga pak në errësirë dhe vetëm në fund arrin të shëndrisë”.
Florian Vlashi ka në repertorin e tij qindra pjesë të interpretuara si solist dhe dirigjent në Spanjë, ku jeton dhe punon në Orkestrën Sinfonike të Galicisë që nga viti 1992; po ashtu edhe në Durrës, në vendlindje, ku ka organizuar që nga viti 2003 tetë edicione të Bienales “Netët e Muzikës Klasike”.
Kompozitorë shqiptarë dhe të huaj si Edmond Buharaja, C. López García, J. Vara, X. De Paz , P. Pereiro, D. Malumbres, J. Durán, F. Buide del Real, Akil Koci, W. Rosinskij dhe Hugo Gomez-Chao Porta i kanë kushtuar veprat e tyre violinistit 55-vjeçar Florian Vlashi. /Nga Gëzim Kabashi/