Mohimi i mësimit të gjuhës shqipe, mohimi i pronës, burgosjet, vrasjet dhe metodat e tjera çnjerëzore ishin i vetmi mjet për të detyruar popullsinë shqiptare çame që të braktiste trojet e veta dhe të humbiste ndjenjën patriotike kombëtare. Qëllimi i vetëm i qeverisë greke ishte realizimi i ëndrrës së saj për spastrimin etnik dhe shkombëtarizimin e zonave të banuara nga popullsia çame me origjinë shqiptare
Konventa e Lozanës e cila i dha fund konfliktit disa vjeçar midis Greqisë dhe Turqisë, siç e dimë përfundoi me marrëveshjen e firmosur nga këto shtete në janar të vitit 1923. Një nga pikat e kësaj marrëveshje të firmosur nga përfaqësues të të dy shteteve ballkanike, kishte të bënte me këmbimin e popullsisë muslimane që ndodhej brenda kufijve shtetërorë të shtetit helen me atë ortodokse, e cila ndodhej në territorin e shtetit turk. Propozimi për shkëmbimin e popullsisë erdhi nga pala greke, e cila donte të përfitonte të paktën moralisht nga kjo luftë e madhe e mbyllur pa lavdi. Shkëmbimi i popullsisë që u bë pjesë e marrëveshjes së Lozanës, nuk qe thjesht vetëm një zgjidhje e antagonizmit greko-turk. Ky propozim i ardhur nga pala greke, u vendos të kryhej mbi disa parime që binin në kundërshtim me të drejtat ndërkombëtare të lirisë së fesë, gjuhës dhe të ndërgjegjes kombëtare. Pra ky shkëmbim u vendos të kryhej në bazë të përkatësisë fetare, pa marrë në konsideratë përkatësinë kombëtare dhe gjuhën amtare të popullsisë.
Qëllimi i vetëm i qeverisë greke për zbatimin të kësaj pike të marrëveshjes së arritur midis këtyre dy shteteve, ishte realizimi i ëndrrës së saj për spastrimin etnik dhe shkombëtarizimin e zonave të banuara nga popullsia çame me origjinë shqiptare.
Qeveria greke përdori një seri metodash për të realizuar shpërnguljen dhe spastrimin etnik të popullsisë çame nga trojet e veta. Një nga metodat më të përdorura rëndom prej saj për realizimin e spastrimit etnik të çamëve, ishte ajo e shtrëngimit të detyrueshëm për të emigruar në brigjet e Egjeut dhe deri në Anadollin e largët.
Qeveria greke dhe ushtria e saj përdorën terrorin si mjet për të detyruar popullsinë muslimane çame që të pranonte shpërnguljen dhe emigrimin drejt Turqisë. Shumë fëmijë, burra, gra, pleq dhe plaka çame që u përpoqën të rezistonin u masakruan prej ushtarëve grekë.
Mohimi i mësimit të gjuhës shqipe, mohimi i pronës, burgosjet, vrasjet dhe metodat e tjera çnjerëzore ishin i vetmi mjet për të detyruar popullsinë shqiptare çame që të braktiste trojet e veta dhe të humbiste ndjenjën patriotike kombëtare. Masat e marra nga qeveria greke për humbjen dhe eliminimin e çdo ndjenje patriotike dhe kombëtare të shqiptarëve të Çamërisë ishin nga më drastiket. Qeveria greke mori masa për ndryshimin e emrave dhe toponimeve të fshatrave dhe qyteteve me origjinë shqiptare. Kështu emri i krahinës së Çamërisë ndryshoi dhe u bë Thesproti, emri i fshatit Vrishtë u bë Llaka, emri i fshatit Globuçar u bë Makrohor, emri i fshatit Arbenicë u bë Ajirotopos, emri i fshatit Gropës u bë Faksomilia, fshati Varfani u quajt Parapotamos etj,.
Metoda e përçarjes së popullsisë me entitet shqiptar ishte një praktikë e rëndomtë dhe e përdorur shpesh prej zyrtarëve grekë. Duke gjykuar në bazë të përkatësisë fetare dhe jo nacionaliste, populli i Çamërisë ndahej në muslimanë turq dhe grekë ortodoks, pavarësisht kombësisë së tyre. Në këtë mënyrë ata nxitën urrejtjen midis komuniteteve fetare, duke vënë përballë njëri-tjetrit shqiptarët ortodoks dhe ata muslimanë. Vala e armiqësisë, që përfshiu popullsinë çame vinte kryesisht nga fqinjët e vjetër të krishterë, për të cilët tashmë këta fqinjë muslimanë s’ishin gjë tjetër, veçse të huaj në tokë të tyre.
Paralelisht me lëvizjen e popullsië muslimanë nga krahina e Çamërisë, për në brigjet e largëta të Egjeut, vetëm në harkun kohor të viteve 1923-24 në tokat dhe shtëpitë e çamëve erdhën me mijëra emigrantë grekë, të cilët bashkë me administratën ushtarake e civile greke, intensifikuan presionet ndaj çamëve për t’iu liruar shtëpitë dhe tokat e tyre. Në këtë mënyrë, ligji detyrues, rrethanat dhe bashkëjetesa e padëshirueshme, por e detyrueshme shkaktonte veç dhimbje tek familjet çame. Horizonti i trazuar, i cili nuk premtonte kurrgjë, bota në prag lufte, varfëria e skajshme i detyroi çamët të merrnin rrugën e mërgimit, disa në tokën mëmë dhe disa në Azinë e largët.
Krahas metodave çnjerëzore, qeveria greke përdori dhe propagandën si mjetin e fundit për të realizuar qëllimet e veta. Qeveria greke pretendonte se gjoja në bashkëpunim me qeverinë turke kishte rënë dakord për instalimin e popullsisë muslimane çame në territorin turk dhe pajisjen e tyre me pronë, madje më shumë se sasia që ata dispononin në Çamëri. Për efekt të kësaj propagande, qeveria greke me anë të bankave të saj, filloi blerjen e tokave dhe të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të popullsisë çame, madje dhe mbi vlerën reale të tregut.
Përveç bankave, rol parësor në blerjen e pasurive të popullit çam luajti dhe Kisha Ortodokse greke. Shumë priftërinj grekë antishqiptarë, duke përfituar nga situata kaotike dhe në bashkëpunim edhe me ndonjë “element shqiptar” e të financuar prej qeverisë greke blenë prona të shqiptarëve çamë. Ashtu si dhe në rastin e pronave dhe të pasurive të hebrenjve në Greqi, Kisha Ortodokse Greke u bë një prej administratorëve kryesorë të pasurisë së shqiptarëve çamë të larguar nga trojet e veta.
Një rol krejt negativ në çështjen e përcaktimit të origjinës së popullsisë shqiptare në krahinën e Çamërisë kanë luajtur edhe përfaqësuesit e klerit ortodoks dhe atij musliman. Në shumë raste myftinjtë dhe drejtuesit e xhamive në Çamëri paraqisnin para Komisionit Mikst, dokumente jo autentike se gjoja përfaqësonin ata mijëra banorë, të cilët ishin pjesë e shqyrtimit të origjinës nga ana e këtij komisioni.
Në këtë mënyrë këta klerikë pretendonin se ishin përfaqësues të këtyre banorëve dhe se kishin të drejtë të deklaronin po në emër të tyre origjinën dhe prejardhjen e tyre. Shpesh herë të paguar dhe të shantazhuar nga bandat greke, këta klerikë në shumicën e rasteve deklaronin pjesë të tëra të popullsisë shqiptare çame si popullsi me origjinë dhe prejardhje turke.
Në shumicën e rasteve përkthyesi që shoqëronte përfaqësuesit e Komisionit Mikst në çdo krahinë të banuar me shqiptarë ishte me origjinë greke. Në çastet e marrjes së deklaratave apo të thënieve të banorëve shqiptarë mbi origjinën e vërtetë të tyre, ato shtrembëroheshin dhe tjetërsoheshin prej përkthyesve grekë. Edhe në ato raste kur ndonjë shqiptar merrte guximin të tregonte të vërtetën mbi prejardhjen e tij, ai syrgjynosej në brigjet e thata dhe të largëta të Egjeut.
Qeveria shqiptare disa herë me rradhë kundërshtoi metodat dhe masat e marra nga Komisioni Mikst për përcaktimin e prejardhjes dhe të origjinës së popullsisë, e cila do të ishte pjesë e marrëveshjes greko-turke për këmbimin e popullsisë. Madje protesta e Qeverisë shqiptare shkonte deri atje sa që ajo i kërkonte Komisionit që krahina e Çamërisë të mos ishte pjesë e hetimit mbi prejardhjen e popullsisë. Këtë fakt qeveria shqiptare e argumentonte me të dhëna të pakundërshtueshme historike mbi prejardhjen iliro-shqiptare të kësaj popullsie.
Një nga ankesat e Qeverisë shqiptare drejtuar Kryetarit të Komisionit Z.Ekstrand, prej Ministrit shqiptar në Athinë Z.Mit’hat Frashëri, kishte të bënte kryesisht me përbërjen e delegacionit, ku dihej që në të bënin pjesë vetëm përfaqësues të qeverisë turke dhe asaj greke. Për këtë, pala shqiptare kërkoi që pjesë e delegacionit mbi përcaktimin dhe mbledhjen e të dhënave për origjinën e popullsisë, e cila ishte pjesë e marrëveshjes për shkëmbim, të ishte dhe një përfaqësues me origjinë shqiptare. Kjo kërkesë u hodh poshtë prej kryetarit të komisionit me argumentin se një gjë e tillë nuk ishte e parashikuar në vendimet e marra nga Lidhja e Kombeve lidhur me këtë çështje.
Edhe pala greke e kundërshtoi këtë kërkesë të bërë prej z.Mit’hat Frashëri me argumentin se përfaqësuesi i tyre grek në komision kupton paksa shqip dhe kështu nuk është shumë i domosdoshëm një përfaqësues i popullsisë shqiptare.
Në përcaktimin e prejardhjes së popullsië shqiptare të krahinës së Çamërisë Komisioni anashkaloi disa faktorë kryesorë në përcaktimin e origjinës së kësaj popullsie. Lidhur me faktorin gjuhë, Komisioni arrinte deri në atë pikë sa e përjashtonte krejtësisht atë si një tregues të qartë të origjinës shqiptare të popullsisë çame. Argumentet që sillte komisioni në raportet e tij ishin nga më absurdet. Nga njëra anë Komisioni vlerësonte se gjuha është një element që duhej marrë në konsideratë, por në rastin konkret në kushtet jo të qeta politike që ndodhej rajoni dhe trojet e marra në shqyrtim, çështja e gjuhës humbet rëndësinë e saj si faktor përcaktues.
Delegacion i Komisionit Mikst gjatë hetimeve të tij, arriti në konkluzione të gabuara, pasi në vend që ai të merrte kontakte të drejtpërdrejta me banorët shqiptarë vendas, anëtarët e tij ndalonin në disa prej kryeqendrave kryesore dhe merrnin të dhëna vetëm prej drejtuesve lokalë grekë dhe prej drejtuesve të korruptuar fetarë.
Megjithëse shteti grek mundohej të siguronte shtetin shqiptar se qeveria e saj do të përmbushte të gjitha detyrimet që rridhnin prej marrëveshjeve ndërkombëtare të firmosura në mënyrë krejt të hapur, Greqia vazhdonte të shkelte të drejtat më elementare të popullsisë shqiptare në Çamëri. Në inisiativat e saj të shumta dërguar Lidhjes së Kombeve, Qeveria shqiptare në mbrojtje të interesave të popullsisë çame, theksonte lidhjet e kësaj popullsie me historinë e zonës dhe me Greqinë.
Ky presion i vazhdueshëm i Qeverisë Shqiptare, si dhe kundërshtia që erdhi më vonë prej administratës turke, për të mos pranuar si emigrantë popullsinë muslimane me origjinë shqiptare, bëri që numri i shqiptarëve çamë të këmbyeshëm gjatë këtyre viteve, të mos ishte ai që figuronte në listat e zeza greke.
Edhe shqiptarët e patën rastin për t’iu kthyer kusurin grekëve dhe të spastronin trojet e tyre nga minoriteti grek që ndodhet këtej kufirit, kur në vitin 1944 në Shqipëri u vendos regjimi komunist. Në amullinë e shkaktuar nga lufta, forcat ushtarake shqiptare jo vetëm që nuk dëbuan asnjë grek, por përkundrazi ata u mbrojtën prej reprezaljeve të gjermanëve.
Dhe në këtë rast gjaku nuk u shpërblye me gjak dhe dëbimi nuk u shpërblye me dëbim.
Në përfundim të gjithë kësaj historie të dhimbshme, mund ta mbyllim me fjalët e një historiani grek, i cili thotë se: “shumë njerëz në mënyrë hiperbolike deklarojnë se në Ballkan dhe jo vetëm, vendi ynë (Greqia) mësoi qytetërimin”. Në këtë rast thotë ai,- “mësimi është i jashtëzakonshëm dhe sigurisht që nuk vjen nga pala greke”.