Nga Jurgis Çyrbja

(Deputet i PS-së, qarku Durrës)

Viti 2023 ka qenë një vit rekordesh për Shqipërinë. Indikatorët ekonomik tregojnë një rritje të paprecedentë në sektorët kyç të zhvillimit të vendit, si turizmi, punësimi, prodhimi vendas dhe eksporti, por edhe remitancat, dërgesat e emigrantëve shqiptarë të cilët me punën e tyre të palodhur vazhdojnë të kontribuojnë në atdheun e tyre.

Sipas të dhënave nga Anketa e Forcave të Punës, që është treguesi zyrtar i punësimit, në tremujorin e dytë të vitit 2023 u punësuan 35 mijë persona më shumë se 3-mujorin e dytë të vitit 2022. Pritet rritje e mëtejshme, falë angazhimit të qeverisë shqiptare për punësimin, faktorin më të rëndësishëm në rritjen e standardit të jetesës së familjeve të thjeshta.

Shqiptarët janë duarartë, njerëz të punës dhe me dashuri për atdheun e tyre, duke rritur remitancat në nivelin më të lartë, e duke ndikuar ndjeshëm në ekonominë e vendit. Sipas Bankës së Shqipërisë, në 6-mujorin e parë të vitit, remitancat – dërgesat e emigrantëve – arritën në 444 milionë euro. Një rritje prej 18% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky nivel është 5.3% më i lartë edhe se periudha janar-qershor i vitit 2019, që deri më tani mbante rekordin me 424 milionë euro.

Rekord u shënua në të ardhurat e turistëve të huaj. Gjysma e parë e këtij viti solli një nivel rekord të ardhurash nga shtetasit e huaj që kanë udhëtuar në Shqipëri. Mbi 7 milionë turistë e vizituan këtë vit Shqipërinë, 2 milionë turistë vetëm në muajin gusht.

Në 6 mujorin e parë të vitit 2023, shpenzimet e të huajve që udhëtuan në Shqipëri arritën në total 1.55 miliardë euro. Kjo është shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë pas viteve 1990-të dhe reflekton kthimin e Shqipërisë në një destinacion të preferuar turistik. Shpenzimet e të huajve për udhëtime janë rritur me 37% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Eksportet shqiptare janë rritur ndjeshëm duke arritur nivel historik për vendin tonë. Gjatë katër viteve të fundit, pavarësisht periudhës së vështirë të pandemisë, eksporti u rrit me 72%. Ky është një shembull tjetër i faktorizimit të Shqipërisë dhe siç e theksoi Kryeministri Rama: Ngjitje drejt majës që synojmë të arrijmë në vitin 2030.

Të gjitha këto arritje dëshmojnë se Shqipëria po ecën në rrugën e duhur dhe këto suksese na nxisin edhe më shumë të ecim përpara për të përmirësuar gjithnjë e më ndjeshëm jetesën e familjeve të thjeshta dhe për ta bërë Shqipërinë një vend sa më të zhvilluar siç e meriton.