Në datën 24 shkurt të një viti më parë Rusia pushtoi Ukrainën. Kryeministri i vendit Edi Rama ka dhënë mesazhin e tij solidarizues nga Hiroshima e Japonisë për popullin e Ukrainës. Ai u ndal në Hiroshima ku vendosi një buqetë me lule në Memorialin Përkujtimor të Paqes si dhe vizitoi Muzeun Përkujtimor të Paqes.

Rama theksoi se pas një viti të gjatë rezistence të Ukrainës nën lidershipin e Presidentit Zelensky, është e qartë se Rusia nuk mund ta fitojë këtë luftë.

Kishim shumë nga ata që menduan se pushtimi rus i Ukrainës do të ishte çështje ditësh. Ja ku jemi këtu sot, 1 vit rezistencë heroike të popullit të Ukrainës nën lidershipin guximtar të Presidentit Zelenskyy, me mbështetjen e botës demokratike. Është e qartë që Rusia nuk mund ta fitojë luftën, ndërkohë që dëshiroj të shtoj se kam nderin ta bëj këtë mesazh këtu nga Hiroshima pas një momenti të gjatë dhe jashtëzakonisht të veçantë nderimi në memorialin e të humburve e të zhdukurve e bombës atomike dhe pastaj në Muzeun e tmerreve të bombës atomike.

Shtoj, që të luash sot me fjalën bombë atomike sikur flet për kukulla është vërtet një turp i civilizimit tonë dhe kjo e bën edhe më të rëndësishme mbështetjen për Ukrainën dhe mbi të gjitha vendosmërinë e secilit që ka respekt për dinjitetin njerëzor, lirinë dhe vlerat e demokracisë në mënyrë që e shkuara të mbetet e shkuar dhe çdo përpjekje për ta kthyer të shkuarën të dështojë me turp”, tha Rama në mesazhin e tij.