Në zgjedhjet legjislative të një viti më parë, partia e ekstremit të djathtë “Vëllezërit e Italisë” e Giorgia Melonit u bë forca kryesore.
Çfarë e ka nxitur që atëherë kryetaren e parë femër të një qeverie në Itali?
“Jetë private? Çfarë jete private?”, iu përgjigj Giorgia Meloni me një buzëqeshje ironike, pyetjes përkatëse të gazetarit yll Bruno Vespa për kohën e lirë në emisionin “Porta a Porta” dy javë më parë. Që kur fitoi zgjedhjet italiane një vit më parë (25 shtator) dhe bëri betimin si kryeministre e parë një muaj më vonë (22 tetor), asaj i mbetet kohë vetëm për gjëra private “të cilat absolutisht duhen bërë”, zbuloi Meloni.
Roli i kreut të një qeverie të përbërë nga tre parti ultra të djathta duket se është lodhës. Por kjo nuk e ka ndryshuar, beson kryetarja e partisë radikale të djathtë, që vjen nga postfashizmi “Fratelli d’Italia”. “Asnjë ditë nuk kalon pa menduar a jam ende i njëjti person si më parë”, tha Meloni para audiencës së bisedës në kanalin publik RAI, të afërt me qeverinë. “Gjithmonë kam pasur frikë a do t’i qëndroja besnike vetes, por qëndrova unë.”
Meloni tani ua lë të tjerëve tonet radikale
Ajo nuk i ka përsëritur parullat radikale të fushatës së saj zgjedhore që nga fitorja e saj në zgjedhje një vit më parë. Në Itali vetë, ajo përpiqet ta formësojë politikën sociale sipas një vizioni rreptësisht konservator të familjes. Në ekonomi, ajo pak a shumë vazhdon politikën e suksesshme ekonomike të paraardhësit të saj Mario Draghi.
Në Evropë, ajo tregohet pothuajse e moderuar. Nuk dëgjojmë më kritika të ashpra ndaj BE. Në pjesën tjetër të botës, ajo kërkon miq dhe aleatë. Ajo ia lë tonin radikal partnerëve të saj të koalicionit: Matteo Salvini të Lidhjes Populiste të krahut të djathtë dhe ministrit të saj të jashtëm kristiandemokrat Antonio Tajani, i cili po ndjek gjurmët e liderit të ndjerë të Forza Italia, Silvio Berlusconi.
“Kam një histori politike pas meje, përshtatem me një realitet në ndryshim”, thotë Giorgia Meloni, 46 vjeç, duke folur për veten. Sot, përdorimi i inteligjencës artificiale është, për shembull, një subjekt i krahut të djathtë. Fakti që ajo është në krye të një partie që mban në stemën e saj flakën e përjetshme të varrit të diktatorit fashist Benito Musolini nuk është një barrë për të në punën e përditshme në qeveri, thotë ajo.
Meloni kërkon ekuilibër me BE-në
Edhe bashkëbiseduesit e tij në Evropë duket se e injorojnë këtë fakt. Zyrtarët e BE në Bruksel shprehen të habitur nga “butësia” apo “zbutja” e treguar nga kryetarja e qeverisë italiane. Kur mori detyrën, ajo përsëri deklaroi se do të ndryshonte disa gjëra në Bruksel dhe se do të mbronte interesat italiane në mënyrë ofenduese.
Kryetarja e qeverisë italiane Giorgia Meloni dhe kancelari gjerman Olaf Scholz shtrëngojnë duart, 8 qershor 2023 në Romë Kreu i qeverisë italiane Giorgia Meloni dhe kancelari gjerman Olaf Scholz shtrëngojnë duart, 8 qershor 2023 në Romë
Një gjest uniteti për foton: kryetarja e qeverisë italiane Giorgia Meloni dhe kancelari gjerman Olaf Scholz në fillim të qershorit 2023 në Romë.
Ndërkohë, Meloni me siguri e ka kuptuar se tonet e ulëta në prapaskenë funksionojnë më mirë. Gjatë takimit të saj me socialdemokratin dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz në Romë, Meloni tha për shtypin se ata janë dakord për të gjitha fushat kryesore të politikës dhe kërkojnë bashkëpunim pragmatik. Scholz nuk e kundërshtoi.
Meloni padyshim që ka bërë paqe me Evropën sepse paratë nga Brukseli vazhdojnë të transferohen. Italia është një nga përfituesit më të mëdhenj të fondit të ndërtimit Corona dhe merr 190 miliardë euro subvencione dhe kredi. Kur lindën vështirësi në korrik me pagesën e një kësti të ri, von der Leyen-i premtoi t’i korrigjonte ato.
Italia dhe BE: Prioritet migrimi
Gjatë një vizite të fundit në Lampeduza, Presidentja e Komisionit Evropian dhe kryetarja e qeverisë italiane treguan se mendojnë njësoj kur bëhet fjalë për politikën e migrimit: kontroll i kufijve, pakësimi i ardhjeve, bashkëpunim më i mirë me shtetet e tranzitit. Vetëm sugjerimi i Melonit që marina të bllokojë edhe më tej bregdetin e Afrikës së Veriut nuk u mbështet nga von der Leyen.
Së bashku, Meloni dhe von der Leyen shkuan dy herë në Tunis për të nxjerrë një marrëveshje nga presidenti tunizian për mbajtjen e refugjatëve. Meloni e sheh këtë si pjesë të strategjisë së saj për t’u fokusuar më shumë në Afrikën e Veriut sesa udhëheqësit e mëparshëm të qeverisë, në mënyrë që të ndalojë migrimin. “Tani duhet të merremi seriozisht me këtë. Perëndimi e ka injoruar Afrikën për një kohë të gjatë,” tha Meloni në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.
Në Lampeduza, Meloni ishte gjithashtu objekt kritikash. Një banore, e cila donte të mbetej anonim, tha për DW në ishull se edhe Meloni vetëm flet dhe nuk arrin pothuajse asgjë. Numri i të ardhurve është dy herë më i lartë se një vit më parë. E frustruar, ajo ka parë tashmë katër kryeministra italianë dhe dy presidentë të tjerë të Komisionit Evropian që vizitojnë ishullin që nga viti 2013, sa herë që mbërrijnë sërish një numër të madh migrantësh.
Mbështetje e fortë për kryetaren e qeverisë italiane
Në përgjithësi, Giorgia Meloni ka vlerësime rekord në mbështetje. Në gusht, 53 për qind e italianëve ishin të kënaqur me punën e kryeministres. Për krahasim, në Gjermani, kancelari Scholz merr vetëm 31 për qind opinione të favorshme. Diskutimi dhe protesta të veçuara shkakton linja e saj ultra-konservatore për politikën e familjes.
Ashtu si “miku i saj i mirë”, kryeministri hungarez Viktor Orban, Meloni është e përkushtuar ndaj idesë që një familje përbëhet nga një baba, një nënë dhe fëmijët. Është e rëndësishme të kemi numër më të lartë të lindjeve për të shpëtuar kombin, tha ajo në “samitin demografik” të partive konservatore në Budapest në mes të shtatorit.
Meloni zbaton politikën konservatore të familjes
Prindër të të njëjtit seks, nënat zëvendësuese(që vetëm i lindin fëmijët për të tjerë), apo aborti nuk kanë vend në këtë botëkuptim. Ajo i përmbahet motos së saj: “Unë jam grua, italiane, nënë, e krishterë”. Këto vlera janë vazhdimisht nën sulm në kulturën tonë aktuale, u ankua Giorgia Meloni para një auditori entuziast në Budapest. “Është e rrezikshme për identitetin tonë si familje dhe si komb. Pa identitet, ne jemi vetëm vegla, numra pa ndërgjegje. Të mbrosh njerëzimin është të mbrosh identitetin.”
Luftë kulturore për familjen italiane
Kjo ideologji familjare përkthehet në Itali në përfitime më të larta sociale për familjet e reja dhe fëmijët. Nga ana tjetër, të drejtat prindërore të çifteve homoseksuale reduktohen. Qeveria e djathtë dëshiron të ndërmarrë veprime më të ashpra kundër krimeve të të miturve, fëmijëve që i bëjnë bisht shkollës dhe prindërve që nuk kujdesen për fëmijët e tyre.
“Melodi” në skenën ndërkombëtare
Udhëheqësit e BE dhe vendeve të G7 u qetësuan kur mësuan se Giorgia Meloni mbështeti pa kushte Ukrainën në luftën e saj mbrojtëse kundër Rusisë. Ndryshe nga shoku i saj Orbani, për shembull. Presidenti amerikan Joe Biden e përshëndeti qëndrimin e Melonit se liria e Evropës mbrohet edhe në Ukrainë.
“Shpresoj të më trajtoni mirë,” bëri shaka Bideni, kur Meloni e vizitoi atë në Shtëpinë e Bardhë në Uashington. Meloni qeshi me elokuencë, sepse Joe Biden e kishte shpallur fitoren e Melonit në zgjedhje një vit më parë si “rrezik për demokracinë”. “Tani jemi miq,” tha Meloni pas takimit kokë më kokë në Uashington.
Meloni, e cila ishte krejtësisht e papërvojë në skenën e politikës së jashtme, bëri miq edhe në samitet ndërkombëtare, për shembull G20 në Nju Delhi. Simpati publike e treguar nga kryeministri indian i ekstremit të djathtë dhe nacionalist Narendra Modi ngjalli komente emocionuese në mediat sociale në Indi. Meloni dhe Modi u bashkuan për të formuar labelin e ri “Melodi”. “Ata janë të dashuruar”, thuhet në shumë postime në Instagram dhe Facebook.
“Një vit Meloni: kosto e lartë e jetesës, migrim jashtë kontrollit”
Giorgia Meloni mendon se e ka përballuar mirë vitin e parë. Në një libër intervistash që sapo është botuar, ajo bëri të ditur se edhe qeveria e saj bën gabime, por po bën më të mirën “me mirëbesim, me dashuri dhe përulësi”. Ajo synon të qëndrojë kryeministre për një kohë të gjatë. Ndryshe nga shumica e paraardhësve të saj, ajo nuk dëshiron të tërhiqet para kohe për shkak të krizave qeveritare, por dëshiron të qeverisë për plot pesë vjet.
Udhëheqësi i opozitës Giuseppe Conte nga “Pesë Yjet” populiste të majta vetëm tallet me këtë vetëvlerësim. “Ajo bën bllofe”, thotë ish-kryeministri. “Meloni? Një vit çmimesh të larta të gazit, kostosh të larta të jetesës dhe migrim jashtë kontrollit.”