Një vit pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019, banorët e kompleksit “Jedas” në lagjen 17 në Durrës kanë përkujtuar ngjarjen e dhimbshme që i detyroi të braktisin shtëpitë e tyre.

Një pjesë e banorëve presin edhe sot pas një viti nisjen e punimeve për rikonstruksionin e pallatit 12-katësh, i klasifikuar me shkallë dëmtimi DS4.

Ata shprehen të lodhur nga jetesa në banesa të tjera me qira, ndaj kërkojnë nisjen e menjëhershme të punimeve, që të rikthehen sa më parë në shtëpitë e tyre.

“Po rrimë derë më derë. Bonusin e qirasë e hoqi dy muaj qeveria, një na e hoqi bashkia, u bënë tre muaj. Ku do shkojmë ne?”

“Pas një viti, siç e shihni realiteti është ky, i dhimbshëm. Ne jemi pa shpi. Unë jam vetë i 7-të, ndërhyrja ësht zero. Kërkojmë nga shteti financimin sa më të shpejtë, se situata është e rëndë.”, thonë banorët.

Qytetarët shprehen se kanë hartuar në mënyrë private një projekt të detajuar për mënyrën e ndërhyrjes për forcimin e objektit shumëkatësh, ndërsa janë në pritje të financimit nga shteti. Në këtë kompleks jetojnë afër 280 familje.

Në qytetin e Durrësit janë në total 123 pallate që kanë dalë me shkallë dëmtimi DS4 dhe zyrtarë të bashkisë janë shprehur se rikonstruksioni i tyre është faza më e vështitë e procesit të rindërtimit.