26 nëntor 2020, një vit pas tërmetit të frikshëm, që ka mbetur në memorien e secilit prej nesh. Një vit më pas, Durrësi ka 30 pallate më pak, 123 godina shumëkatëshe me dëmtime DS4, fati përfundimtar i të cilave nuk është vulosur ende, 9 shkolla që pritet të përfundojnë në fund të vitit, të tjera që qëndrojnë të boshatisura dhe presin rradhën për t’u shembur dhe ndërtuar nga e para.

Në shumë lagje të qytetit sheh skela dhe punëtorë që riparojnë dëmtimet në ambientet e përbashkëta të pallateve me shkallë dëmi DS1-DS3. Zhurma e tritolit në qytet ende vazhdon, më e fundit ishte ditën e martë, por për fat të keq nuk ishte e fundit. Qindra banorë kalojnë dimrin e dytë nëpër çadra, në pritje të ndërtimit të banesave individuale.

Kryeministri Rama ka nisur ta kthejë Durrësin në një ndalesë thuajse të përditshme, ndërsa qytetarët e dëmtuar më shumë nga tërmeti shprehin shpesh dufin në rrjete sociale për mungesën e zgjidhjes për godinat që kanë braktisur një vit më parë apo vonesat në kalimin e këstit të radhës të bonusit të qirasë.   

Kur qeveria shqiptare arriti të marrë në konferencën e donatorëve 1.15 miliardë euro për riparimin e dëmeve nga tërmeti, shumëkush shpresoi se këto para do të nisin menjëherë të investoheshin për Rindërtimin. Koha e nevojshme për procedurat burokratike i ka lodhur njerëzit dhe shumë e shohin me skepticizëm procesin e Rindërtimit.

Kryebashkiakja në detyrë e Durrësit, Emiriana Sako, e pranon që i gjithë procesi është kompleks, pasi problematikat janë të ndryshme dhe evoluojnë me kalimin e javëve apo muajve. 

“Gjatë këtij viti 9700 familje përfituan grantin e rikonstruksionit sipas vlerësimeve DS1, DS2 dhe DS3

4800 familje përfituan bonus qiraje

31 shkolla dhe kopshte të reja, rindërtim nga e para (3 kanë përfunduar, 9 të tjera janë gati deri në fund të dhjetorit 2020)

30 pallate do rindërtohen nga e para, në truallin ku kanë qenë (2 kanë nisur nga puna)

123 pallate të klasifikuara me kodin DS4 janë në fazën e hartimit të projekteve të detajuara

904 banesa individuale për të cilat ka nisur apo pritet të nisë puna, disa do të përfundojnë brenda dhjetorit, të tjerat vitin e ardhshëm

615 pallate në total po i nënshtrohen rikonstruksionit të hapësirave të përbashkëta (shkallë, ashensorë dhe fasada)

2 lagje të reja me standarde bashkëkohore pritet të ndërtohen në Spitallë dhe Manëz”,- thotë kryebashkiakja lidhur me atë çfarë është bërë deri më tani në Durrës përgjatë një viti.

Lajm i mirë është që 2 pallatet e para (objektet në bulevardin “Dyrrah” dhe pas Drejtorisë së Policisë) ku kanë nisur punimet, do të dorëzohen brenda 6 muajve. Po kaq shpejt pritet të përfundojnë edhe 28 pallatet e tjera, për të cilat ende nuk dihet se kur do të nisin punimet, përveç pallatit me nr.458 në Shkozet, që fillon së shpejti.

“Rindërtimi i pallateve nuk është një proces i thjeshtë, sepse është një vepër e re që do të bëhet nga e para, por koha e rindërtimit do të jetë e shkurtër, kjo në varësi edhe të numrit të kateve” – thotë kryebashkiakja.

“Thembra e Akilit” në Durrës mbeten pallatet me dëmtime DS4. Janë gjithsej 123 godina me dëmtime të mëdha për të cilat po hartohen projektet e detajuara për rikonstruksionin e tyre. Por nëse rikonstruksioni kushton më shtrenjtë sesa rindërtimi i pallatit nga e para, do të vendoset për shembjen e objektit. Në këtë rast, procedurat burokratike nisin nga e para dhe banorëve do t’u duhet të presin sërish, derisa t’i gëzohen shtëpisë së re.

“Për këto objekte, Instituti i Ndërtimit ka dalë me dy opsione; ose të bëhet projekti i detajuar, ose të shembet. Aktualisht janë duke u bërë projektet e detajuara për 123 pallate dhe më pas do të kërkojmë fondet përkatëse në qeveri. Me përfundimin e projekt-preventivëve do të aplikojmë për fonde dhe më pas do të vijojmë me përforcimin e tyre siç po ndodh me ambientet e përbashkëta tek pallatet me dëmtime DS1-DS3”,– thotë kryebashkiakja Sako.

Projekti për ndërtimin e lagjes së re në Spitallë është në rrugë të mbarë. Aty pritet të sistemohen jo vetëm banorët e prekur nga tërmeti i 26 nnëtorit 2019, por edhe qytetarë të Durrësit që figurojnë të pastrehë. Një pjesë e ndërtimeve pritet të shërbejnë për banesa sociale, pasi dihet numri i madh i aplikuesve për të përfituar apartamente të tilla në qytetin bregdetar.

Kryebashkiakja Sako siguron se angazhimi i qeverisë për Rindërtimin e Durrësit është maksimal dhe procesi do të vijojë përgjatë gjithë vitit 2021.

M.B.